Çdo i dhjetë rast i kancerit në Evropë mund t’i atribuohet faktorëve të jashtëm si ndotja, sipas një raporti të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), të cituar nga dpa.

“Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit, kimikateve kancerogjene, radonit, rrezatimit UV dhe tymit të dorës së dytë së bashku mund të shkaktojnë më shumë se 10 për qind të rasteve të kancerit në Evropë”, thuhet në raport.

Pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe zakonet e të ngrënit nuk përfshihen në analizën e agjencisë së Bashkimit Evropian me qendër në Kopenhagë.

Rreziqet e prekjes nga kanceri në lidhje me mjedisin dhe vendin e punës mund të reduktohen duke luftuar ndotjen dhe duke ndryshuar zakonet, sipas EEA.

“Rreziqet e prekjes nga kanceri që lidhen me mjedisin dhe vendin e punës mund të parandalohen dhe ulja e tyre është çelësi për të lehtësuar barrën e kancerit në Evropë”, përfundon raporti.

Me pothuajse 2.7 milionë raste të reja dhe 1.3 milionë vdekje në vit, Bashkimi Europian është më i prekur nga problemi sesa rajonet e tjera të botës, sipas të dhënave të EEA.

“Edhe pse Europa përfaqëson më pak se 10 për qind të popullsisë së botës, ajo përbën gati 23 për qind të rasteve të reja të kancerit dhe 20 për qind të vdekjeve nga kanceri në mbarë botën”, thuhet në raport.

Në raportin e saj, EEA kërkon rregullore dhe burime të përshtatshme për të parandaluar dhe reduktuar ekspozimin ndaj ndotjes, duke vënë në dukje se ka të ngjarë të duhen vite për të parë rezultate.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re