Çdo ditë në orën 6 të mëngjesit, ky burrë del nga shtëpia dhe niset me biçikletë drejt qendrës së Fierit. Dikur ka qenë bojaxhi, por mëse 20 vite më parë, Sotiri vendosi që të mos ngjyrosë më muret, por këpucët e njerëzve.

“Nga bojaxhi objektesh, nga bojërat e ngjyrat përshtatej kjo gjë dhe e zgjodha këtë…Mendoja në fillim si çik si punë ndryshe nga profesioni që kam pasur. E kam kaluar me klientelë, me shoqëri, i kam nxjerrë harxhet e ditës.”- thotë  për median Sotiri.

60 vjeçari siguron ato pak para për familjen dhe punës së tij i kushton vëmendjen e nevojshme.

“Duhet gjetur ngjyra e përshtatshme se ndryshe i prish këpucët klientit…”

Sotiri është një personazh i dashur për shumë fierakë, klientë të tij ndër vite.

“Unë si klient vij nga lagjja 15 tetori për të lyer këpucët te Sotiri. Për respekt, sepse është i respektueshëm dhe profesionist i vërtetë,” tha njëri

Por teksa vitet kalojnë, duket se njerëzit nuk veshin më këpucë klasike. Atletet janë futur në masë dhe zanati i lustraxhiut është zbehur e po shuhet ngadalë. Sotiri thotë se puna ka rënë, por pavarësisht ai vijon të jetë një ndër të paktët lustraxhi që ka Fieri, një zanat që 60 vjeçari e bën me pasion e ndërshmëri.

“Ka gati 5 vjet që ka rënë puna totalisht. Tani ndikojnë atletet, këto gjërat praktike. Këpucët më të shtrenjta? Ato firmato, kam patur dhe këpucë me lëkurë gjarpri. Më bie në sy që dikur para ca vitesh, ata që kishin më shumë gjendje vinin, por tani edhe ata nuk paraqiten më. Mund t’i shikosh njëherë në muaj”-thotë Sotiri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re