Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë në Kavajë.

Gjatë vizitës, Balla theksoi nevojën për thellimin e procesit të vetë-pastrimit të radhëve të policisë dhe rritjen e besimit të publikut, si edhe nënvizoi angazhimin për të përmirësuar kushtet financiare,.

“Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë. Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht. Unë e di që paga aktuale e punonjësve të policisë është shumë e ulët krahasuar me nevojat që ka çdo familje e një punonjësi policie. Me buxhetin e shtetit 2024, do të kemi një rritje, e cila ndoshta nuk është aq sa duhet, por është një hap i madh krahasuar me stadin aktual”, deklaroi ministri Balla.

Në lidhje me problematikat e tjera të ngritura, ministri tha se po punohet për ti zgjidhur shpejt, teksa u shpreh se “është shumë e rëndësishme që në procesin e rikthimit të besimit të publikut te Policia e Shtetit, kjo duhet të shoqërohet edhe me një qasje të re që njerëzit duhet të kenë ndaj uniformës të punonjësit të policisë.”

Ministri u ndal gjithashtu në procesin e pastrimit të radhëve të policisë nga individë që tradhtojnë uniformën.

“Ndërsa vazhdojmë procesin e vetëpastrimit të radhëve të policisë nga individë që me veprimet e tyre tradhtojnë aksionet e policisë, unë jam shumë i sigurt që ne do ta rrisim besimin e qytetarëve te organizata e “Policisë së Shtetit”. Duhet të jemi vigjilentë ndaj kujtdo që tenton të bëjë biznes me shëndetin e fëmijëve, duke u shitur lëndë narkotike. Një pjesë e madhe këtu, i kanë fëmijët në shkollë të mesme dhe e dinë sa e rëndësishme është kjo gjë dhe çfarë pritshmërie kanë qytetarët. Nga një sondazh i para disa ditëve, 6 në 10 persona mendojnë që siguria në shkolla është ndër gjërat më të rëndësishme dhe kjo lidhet edhe më shpërndarjen e lëndëve narkotike”, nënvizoi Ministri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re