Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka monitoruar nga afër punën në Qendrën Operacionale të Sigurisë Kibernetike.
Balluku u shpreh se ka pasur shqetësim të madh për kërcënimet kibernetike në vendin tonë, por theksoi se sot “jemi në moment të mirë”, ndërsa shtoi se grupi i monitorimit në AKCESK punon 24/7.
“Ka pasur shqetësim të madh ndaj kam vendosur sot, tashmë që e kemi ngritur të gjithë sistemin e AKCESK dhe jemi në një moment të mirë. Vetëm në grupet e monitorimit operacional kemi 25 vajza e djem që punojnë 7 ditë/24 orë. Duhet të flasim edhe për diplomacinë kibernetike, që është shkëmbimi i eksperiencave me palët e tjera të huaja që janë kthyer në partnerë tanë, me agjencinë e sigurisë kibernetike në Izrael, me marrëdhëniet e mira që kemi me Emiratet e Bashkuara, sigurisht partneriteti me SHBA-të është një nga më të fuqishmit”, tha zv.kryeministrja.
Belinda Balluku u shpreh se çdo proces në Shqipëri po dixhitalizohet ndaj shkalla e sigurisë kibernetike duhet të jetë shumë e lartë.
“Qeveria shqiptare ka vendosur prej kohësh të dixhitalizojë të gjitha proceset, sidomos ato të shërbimeve, por nga ana tjetër edhe proceset operacionale, kështu që detyrimisht shkalla e sigurisë kibernetike duhet të jetë shumë e lartë.
Sot që prakisht po kalojmë në një sistem pa letra, me burokraci zero, me korrupsion zero në të ardhmen, duke çuar në kontaktin direkt me virtulitetin, duke pasur shërbime dixhitale dhe juve do ju duhet që këto shërbime të jenë të mbrojtura, Ndaj një nga qëllimet e qeverisë shqiptarë është të mbështesë ngritjen e cilësisë së sigurisë kibernetike në Shqipëri.
Është një nga nuklat më të rëndësishme në dixhitalizimit sepse çdo hap që ne bëjmë në fushën e dixhitalizimit, duke të bëjmë hap edhe në fushën e sigurisë kibernetike.
Gjithçka kemi arritur në fushën e diplomacisë kibernetike, përmes marrëdhënies së shkëlqyer tashmë të agjencisë me partneritetin e bizneseve private që deri para disa kohësh ishte e vështirë të perceptohej se si ata mund të ndanin me të gjithë shqetësimet e tyre, tregon se është bërë punë e mirë, por sigurisht ka gjithmonë vend për të përmirësuar. Rëndësi ka që është institucion me djem dhe vajza të reja dhe ka interes në tregun e IT dhe të analistëve për t’u na afruar. Qeveria ka marrë masat për ti dhënë të gjitha kushtet e duhura kësaj agjencie duke nisur nga pagat e larta që aplikohen këtu dhe kushtet e infrastrukturës ku operohet, por dua të shpreh mirënjohjen që bën dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për të ardhmen e AKCESK”, u shpreh zv.kryeministrja Balluku.