Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Sigurisë së Munihut që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë, presidenti Thaçi foli gjerë e gjatë për marrëveshjen e ëndërruar mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ajo do sjellë njohjen, e rrjeshimisht hap tjetër perspektivë për dy vendet.

“Çfarë të mirash do të sjellë marrëveshja për dy vendet dhe më gjerë? Kosova dhe Serbia do ta njohin njëra-tjetrën. Të dy vendet do të kenë një perspektivë më të qartë dhe më të sigurt evropiane. Do të prodhojmë më shumë paqe për rajonin. Energjitë tona do të fokusohen në zhvillim, ekonomi, edukim, integrim dhe bashkëpunim. Kosova do të njihet nga pesë shtetet e BE-së të cilat nuk e njohin akoma. Kur Serbia ta njohë Kosovën, askush nuk do të mund të bëhet më serb se Serbia dhe të vazhdojë të mos e njohë Kosovën ose ta bllokojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit”, deklaroi Thaçi.

Gjithsesi, ai u tregua realist kur tha se kjo nuk është aq e lehtë për t’u arritur.

“Jemi duke i shqyrtuar të gjitha idetë. Sa i përket marrëveshjes, për asgjë nuk jemi marrë vesh akoma. Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë është e vështirë, por, edhe në rrethana të tilla unë shoh dritë në fund të tunelit. Pse? Fillimisht, të dy shtetet, për këtë jam i bindur, e dinë se nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu siç janë sot. Status quo-ja e tanishme nuk mund të mbahet më. Konflikti i tanishëm i ngrirë i dëmton të dy vendet në të gjitha fushat e jetës, në integrim, zhvillim ekonomik, në siguri”, deklaroi kreu i shtetit të Kosovës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re