Një muaj pas humbjes së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, një propozim për një urdhër ekzekutiv të Shtëpisë së Bardhë urdhëroi zyrtarët më të lartë ushtarakë të vendit të kapnin makineritë e votimit në të gjithë Shtetet e Bashkuara, sipas dokumenteve të publikuara nga Politico.

Një dokument shpërthyes i publikuar nga Arkivi Kombëtar zbulon masat ekstreme që ish-presidenti republikan ishte i gatshëm të merrte për të qëndruar në pushtet.

“Që nga sot, Sekretari i Mbrojtjes duhet të sekuestrojë, grumbullojë, ruajë dhe hetojë të gjitha makineritë, të gjitha pajisjet, të gjitha informacionet e ruajtura në formë elektronike” në lidhje me zgjedhjet, thuhej në propozimin prej tre faqesh, i cili nuk u nënshkrua kurrë.

Dekreti ekzekutiv i datës 16 dhjetor 2020 parashikonte edhe caktimin e një avokati të posaçëm i cili do të bënte padi për të gjitha mashtrimet e supozuara që do të vërtetoheshin gjatë sekuestrimit.

Teoritë konspirative

Për të justifikuar propozimin e urdhrit ekzekutiv, dokumenti liston një sërë teorish konspirative – të kundërshtuara në mënyrë të përsëritur – se makinat e votimit janë hakuar. Nuk dihet se kush është autori i atij propozimi.

Është pjesë e më shumë se 750 dokumenteve të dorëzuara në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, i ngarkuar me hetimin e sulmit në Kapitol, pasi Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Trump për të ndaluar publikimin e tyre.

Komisioni, i përbërë kryesisht nga deputetë demokratë, dëshiron të vendosë përgjegjësinë e Donald Trump dhe shoqëruesit e tij në sulmin ndaj ndërtesës së Kongresit më 6 janar 2021.

Një vit pas dorëheqjes së tij zyrtare, Donald Trump vazhdon të pretendojë se zgjedhjet e tij të vitit 2020 ishin “vjedhur”. Sondazhet tregojnë se ai mbështetet nga më shumë se gjysma e votuesve republikanë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re