Shefi i Këshillit të Lartë të Shtetit të Libisë, Khalid al-Mishri thotë se më shumë se 7,000 mercenarë rusë mbeten në vend.

Në një deklaratë përmes aplikacionit audio-chat Clubhouse, Al-Mishri tha se mercenarët e grupit Wagner ishin të armatosur me lloje të ndryshme të armëve, përfshirë avionë luftarakë.

“Ata kanë 30 avionë luftarakë në bazën ushtarake Algourbabia në Sirte dhe bazën Al-Jufra. Rusët po kërkojnë një pikëmbështetje në Afrikën e Veriut dhe e gjetën atë në Libi”, theksoi Al-Mishri.

Ata operojnë në Libi që nga viti 2019.

Mercenarët e Wagner-it kanë qenë aktivë në Libi që nga viti 2019 dhe janë një mbështetës kryesor i udhëheqësit të forcave të paligjshme në Libinë lindore, Khalifa Haftar.

Libia po përgatitet të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të shpallura për 24 dhjetor, sipas marrëveshjes së arritur vitin e kaluar nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.

Libianët shpresojnë se zgjedhjet do të kontribuojnë në përfundimin e konfliktit të armatosur që ka pllakosur këtë vend të pasur me naftë prej vitesh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re