Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re

Kryeprokurori Olsian Çela ka raportuar bilancin vjetor para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjatë fjalës së tij, kryeprokurori theksoi se 2022 ishte një vit sfidues dhe kjo për shkak të vakancave të krijuara nga reforma në drejtësi. Ai nënvizoi se vakancat arritën në shifrën 42%, por megjithatë sipas tij, situata është superuar nga prokurorët në detyrë.

 

“Përgjatë vitit 2022, për shkak të vakancave numri i përgjithshëm faktik i prokurorëve ka qenë 187 dhe në korrik me emërimin e 22 magjistratëve të rinj në fund të vitit ishte 202, tregues që evidenton se 134 deri 119 prokurorë i kanë munguar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm ose me ulje në total deri në 8.7% të numrit të prokurorëve krahasuar me vitin 2021. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: -162 deri në 177  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 125 deri në 110 prokurorë më pak në numrin faktik për shkak të vakancave ose me ulje deri në 13,6 % krahasuar me vitin 2021; -16 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të apelit ose 10 prokurorë më pak në numrin faktik për shkak të vakancave, dhe -9 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 8 prokurorë më pak në numrin faktik për shkak të vakancave, ose me diferenca në të njëjtat shifra në këto dy nivele krahasuar me vitin 2021. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2019 shifra në ulje të numrin faktik në total është deri rreth 42 % e prokurorëve”, tha Çela.

 

Ndonëse në kushte aspak të favorshme nga vakancat e krijuara, kryeprokurori Olsian Çela theksoi se janë trajtuar mbi 61 mijë kallëzime, duke pësuar rritje me vitin paraardhës.

 

“Gjatë vitit 2022, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61.045 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 0,11% në krahasim me vitin 2021”, theksoi ai.

 

Prokuroria aktualisht ka në detyrë 214 prokurorë, duke pasur një mungesë prej 127 prokurorësh. Një pjesë e prokurorëve në detyrë ende nuk kanë kaluar në “filtrin” e reformës në drejtësi.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re