6384a1a5c65741ab6f8625372f3d4127_XL

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam mbështeti nismën e arkeologut Dritan Çoku, për të organizuar në Berat ekspozitën grafike me temë “Kullat mesjetare të sahatit në trojet shqiptare: Art dhe traditë”. Ekspozita e vendosur në sallën e Galerisë së Arteve “Edward Lear”, është e veçantë në llojin e vet, sepse përmban 62 punime në grafikë artistike të kullave të sahatit që ndodhen në 41 qytete të hapësirës shqiptare, si dhe katalogë e fletëpalosje.

Punimet pasqyrojnë punën shumëvjeçare të arkeologut Dritan Çoku, i cili i ka studiuar në terren sahatkullat ekzistuese. Për sa u përket kullave që tashmë nuk ekzistojnë, studiuesi Çoku ka ilustruar pamjen e tyre duke u nisur nga studimet e rrënojave, apo duke hulumtuar në dokumentacionin historik, përshkrimet, ilustrimet apo fotografitë e vjetra të realizuara nga udhëtarë vendas e të huaj. Për këtë arsye këto punime grafike përmbajnë vë vetvete vlera të mëdha dokumentare, ashtu sikurse dëshmojnë për talentin artistik të autorit.

Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite ishin të pranishëm qytetarë të Beratit, studiues, intzelektualë, përfaqësues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, si dhe miq e dashamirës të artit, të cilët u njohën nga afër me këtë pjesë të trashëgimisë sonë kulturore. Në fillim ekspozitën e përshëndeti Drejtoresha e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, znj. Migena Hoxha. Mes të tjerash, ajo theksoi se ekspozita e studiuesit Dritan Çoku plotëson kuadrin e veprimtarive kulturore të mbajtura në qytetin e Beratit, me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Më pas, në emër të Bashkisë së Beratit përshëndeti Nënkryetari i saj, z. Çlirim Brisku. Ai përgëzoi autorin e ekspozitës dhe uroi suksese të mëtejshme.

Në emër të AIITC përshëndetën me radhë nëndrejtori Alban Kodra dhe Kryetari i Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova. Në fjalët e tyre ata përcollën përshëndetjet e Drejtorit të AIITC, prof. as. dr. Ramiz Zekaj për të pranishmit dhe për aktivitetin. Më pas theksuan se mbështetja e dhënë për realizimin e kësaj ekspozite të veçantë vjen në kuadër të politikës së Institutit për të përkrahur talentet dhe studiuesit e rinj. Në shërbim të këtij qëllimi, nënvizuan ata, Instituti organizon prej 10 vitesh Çmimet AIITC në fushën e kulturës, shkencës dhe artit islam, ku janë promovuar dhe vlerësuar me dhjetëra studiues e krijues nga moshat e reja. Pasi i uruan suksese autorit, ata theksuan se për nga vlerat që mbart ekspozita meriton të hapet edhe në qytete të tjera të hapësirës shqiptare.

Në përfundim, të pranishmit i përshëndeti studiuesi Dritan Çoku. Ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ekspozite, në mënyrë të veçantë Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Sipas tij, ekspozita nuk ka vetëm qëllime dokumentuese, por synon ta paraqesë edhe artistikisht këtë trashëgimi kulturore, e cila është unike për qytetet mesjetare të periudhës osmane. Për këtë arsye autori e ka quajtur atë “Art dhe traditë”. Ai vuri në dukje se ilustrimet grafike janë produkt i një pune 11-vjeçare në terren dhe shpjegoi përmbledhtazi llojet e sahatkullave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, e cila ndikon edhe në formën e stilin e tyre arkitektonik.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë të interesuarit deri më datë 14 tetor. Në kuadër të saj, për të pranishmit u shpërndanë broshura dhe katalogu me të gjitha punimet grafike, i përgatitur enkas nga AIITC për këtë rast. Njëherazi, përfaqësuesit e AIITC dhuruan disa nga botimet e Institutit për Drejoreshën e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, për Nënkryetarin e Bashkisë dhe për deputetin Fadil Nasufi, ish-Kryetar i Bashkisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re