Zëdhënësi dhe nënkryetari i AK Partisë Ömer Çelik tha se respektojnë vullnetin e popullit dhe epilogun e zgjedhjeve që po mbahen në Türkiye, duke kritikuar koalicionin opozitar për komente kundër agjencisë shtetërore Anadolu, e cila publikon rezultatet e votave drejtpërdrejt.

Në një prononcim në Adana, Çelik tha se Türkiye i ka treguar sot gjithë botës fuqinë e demokracisë dhe se si duhet bërë një garë demokratike.

“Ende para se të finalizohen rezultatet, para se të ketë konkluzion për komente të sakta për rezultatet për sa i përket numrit të kutive të hapura, papritur në televizion doli me nxitim zëdhënësi i koaliconit rival, kryetarët e bashkive, dhe filluan të thonë se Anadolu ka shtrembëruar të dhënat në mënyrën klasike”, u përgjigj Çelik pas komenteve nga kryetarët e bashkive të Istanbulit dhe Ankarasë, Ekrem Imamoğlu dhe Mansur Yavaş, në lidhje me agjencinë shtetërore turke.

“Votat po numërohen. Ende pa u finalizuar rezultatet, ata sulmojnë Agjencinë Anadolu dhe shpallin fitoren”, tha ai, duke theksuar se partia e tij dhe koalicioni me të cilin garojnë, për dallim nga koalicioni opozitar, kanë traditë të respektojnë rezultatin pavarësisht se cili do të jetë ai.

“Megjithatë, në procesin e manifestimit të vullnetit të kombit, në asnjë mënyrë nuk lejojmë askënd të manipulojë dhe të tentojë të krijojë tension në shoqëri duke pretenduar sikur rezultatet zyrtare të jenë shpallur para se të shpallen zyrtarisht”, tha zëdhënësi i AK Partisë.

Ndryshe, në Türkiye qytetarët votuan sot në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.

Çdo votues kishte mundësi të hedhë dy vota, një për presidentin dhe një për përbërjen parlamentare, të cilët do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.

Gara e sotme presidenciale u zhvillua midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan, i cili kërkon rizgjedhjen, kandidatit të opozitës më të madhe, Kemal Kılıçdaroğlu, dhe kandidatit Sinan Oğan.

Muharrem İnce, një kandidat tjetër presidencial, u tërhoq nga gara të enjten, por sipas autoritetit zgjedhor të vendit, pavarësisht tërheqjes së tij në “minutën e fundit”, votat e hedhura për të do të pranohen si të vlefshme në përputhje me nenin 12 të ligjit nr. 6271.

Pavarësisht tërheqjes së tij nga gara presidenciale, partia e tij “Atdheu” (Memleket) mbeti në garë për ulëset në parlamentin prej 600 vendesh.

Mbi 30 parti politike dhe mbi 150 kandidatë të pavarur për deputetë garuan në zgjedhje.

Në garë ishin pesë blloqe shumëpartiake: Aleanca Popullore, Aleanca Kombëtare, Aleanca ATA, Aleanca e Punës dhe Lirisë dhe Aleanca e Unionit të Forcave Socialiste.

Burimi: TRT Shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re