Bashkëqytetarë të nderuar!

Si njeri aktiv në mjedisin shoqëror dhe në mesin e besimtarëve MBIZOTËRUES në këtë vend, e shoh të duhur një reagim mbi të dhënat e publikuara të censusit të vitit të kaluar, realizuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Në të vërtetë, reagimin ka qenë në mendjen time që në vitin 2011, kur do ta ndeshnim për herë të parë marrëzinë e pyetjeve bajate mbi përkatësinë fetare. Një këshillim me miq atëkohë më solli te konkluzioni se duhej pritur derisa marrëzia të merrte formë përfundimtare.

Tani, kur gjëja ka arritur pjekurinë dhe ka bërë dëmin, mund të çmohet sidoqoftë se përdorimi i fjalës “poshtëron” në reagim ngjan se është i tepruar. Për këtë, pra, për përdorimin, po rendis më poshtë disa parashtrime:

1. Në momentin që pyetjen për besimin fetar në census e përfshin në listën e gjatë ku kërkohet të dihet dhe mbi praninë e një lavatriçeje në shtëpi, duket se pyetësori ka një problem. Dhe me të gjithë vlerësimin për atë mjet të nevojshëm shtëpiak, nuk mund të pranohet assesi që nëpërmjet pyetjes mbi lavatriçen të shpëlahet truri i popullsisë me pyetjen mbi besimin fetar.

2. Formuluesit te pyetja mbi besimin fetar e kanë lënë përgjigjen në dorë të të pyeturit, kurse te ajo mbi lavatriçen e kanë kërkuar me detyrim atë!

3. Absurdi vazhdon (dhe këtu më duhet të them se lavatriçja është marrë si shembull absurditeti në rëndësinë e dhënë gjërave nga organizuesit e censusit) kur zëri i përkatësisë fetare i ka pyetjet të detajuara, mbi praktikueshmërinë e besimit, sektin apo fraksionin fetar së cilit i përket i pyeturi, ndërsa për lavatriçen e zotëruar (nëse është kështu) nuk kërkohet as markë e as vit prodhimi.

4. Pyetësori, me një nënzë të posaçëm, i jep ateizmit atribute besimi, feje, ndërkohë që pyetja mbi të do duhej bërë në suaza të jobesimit, të të mosbesuarit në Zot! Pra, krejt e veçuar nga pyetësori i besimit fetar.
5. Në pyetje përfshihet dhe kategoria e besimtarëve pa fe të caktuar, që natyrshëm do ta kenë përgjigjen po aq të turbullt sa ç’e kanë ndjesinë e tyre besimore, pa trajtë, të pakapur askund e të ngjitshme çdokund!
Të tëra këto pyetje kanë efekt shpërbërës, ndërkohë që, cinikisht, lavatriçja qëndron e palëkundur në unitetin e pjesëve përbërëse që e bëjnë atë të nevojshme mekanikisht për njeriun. Dhe ashtu siç e shoh unë, së paku, pas kësaj skeme djallëzore pyetjesh, e befasishme është të mësosh se sërish numri i muslimanëve doli më tepër se i konsiderueshëm, në 45.8%, edhe pse prisja një përqindje më të vogël për shkak të detajimit çoroditës, copëzues.
Pasojat e pyetësorit thërrmues, me muslimanët në shënjestër, kanë prekur dhe bashkësitë katolike e ortodokse. Synimi për t’i nxjerrë muslimanët nën 50 për qind i ka dëmtuar dhe ato, të tkurrura po ashtu numerikisht sipas censusit.

Komunitetet fetare, muslimanët, ortodoksët dhe katolikët, duhet të mbajnë së bashku qëndrim ndaj këtij procesi, ndaj kësaj marrëzie, që kërkon të prishë demografinë fetare në vendin tonë, e të minojë mirëkuptimin dhe bashkëjetesën shekullore.

Çdo musliman shqiptar është krenar për fenë e tij, për vëllazërinë e gjakut me katolikët dhe otodoksët shqiptarë, ashtu sikundër besoj se e njëjta ndjenjë e mirë është dhe te ata kundrejt nesh. Vetëm të pafetë nuk mund të kenë krenari! Ata janë turpi i këtij kombi, tentues me çdo formë e makinacion që t’i imponojnë kësaj shoqërie perceptimet e tyre absurde mbi besimet fetare ndër ne. Njerëzit e mençur të këtij vendi nuk duhet ta lejojnë tjetërsimin e identitetit tonë kombëtar dhe fetar. Sepse ky tjetërsim mund t’u interesojë vetëm atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, nuk ia duan të mirën Shqipërisë sonë.

Zoti i mbrojttë Shqipërinë dhe shqiptarët nga kurthet djallëzore të atyre që fshihen pas fjalëve të bukura!
Amin!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re