Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot në një takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Pas mbarimit të takimit mes dy zyrtarëve në selinë e PD-së, lideri demokrat, Basha u ndal në një komunikim me gazetarët, ku zbardhi detaje nga biseda me Grubin. Kreu i PD-së tha se me Grubin folën për shumë cështje, ku më kryesorja ishte regjistrimi i popullates ne Maqedonine e Veriut.

“Mbajtja e pozicioni të zv/kryeministrit të parë nga një përfaqësues i shqiptarëve tanë, i bashkëngjitët risive dhe përparimit të bashkëkombësve tanë në Maqedoninë e Veriut. Pata kënaqësi që të dëgjoja në vetë të parë, disa avancime kuptimplota në rrafshin e zhvillimit për shqiptarët, për projekte të përbashkëta, që do të shkojnë nga forcimi i ekonomisë mes dy vendeve. Këtu përfshihen projekte që kam pasur për zemër, siç është Korridori Blu, që ka ngelur në Elbasan, por i premtova se do të shkojë deri në Maqedoninë e Veriut. Po merren hapa për të plotësuar segmentet në korridorin Shkup-Qafë-Thanë. Folëm për bashkëpunim mes dy vendeve tona, për njësimin e diplomave, apo të tjera lehtësira për dy vendet tona. Këto janë sfida, dhe oportunitete të jashtëzakonshme. Tema që e konsideroj kryesore, qendrore e këtij takimi është procesi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut, censusi. Censusi lidhet drejtpërdrejtë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që do të thotë se një regjistrim i saktë në veçanti i qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të mërgatës, është me rëndësi, për të drejtat kushtetuese. Për të reflektuar ato që ndikojnë jetën e bashkëkombëseve tanë. Për të reflektuar të gjitha detyrimet që do të burojnë nga kushtetuta, nga marrëveshja e Ohrit, investimet kapitale që bëhen në zonat e banuara, subvencionet për fermerët, kuotat në administratën publike, gjithçka që ka të bëjë me vëllezërit e motrat tona ka të bëjë drejtpërdrejt me censusin. Jemi në kohë për t’i drejtuar një thirrje, në emrin e PD, në emër të çdo shqiptari, këtë thirrje ia drejtoj emigrantëve, diasporës, të mërguarve nga Maqedonia e Veriut, ndani 10-15 minuta nga koha juaj dhe kryeni regjistrimin online sepse kështu do të ndihmoni drejtpërdrejt familjet tuaja në Maqedoninë e Veriut, do ndihmoni garantimin dhe fuzimimin e të drejtave të tyre.”, tha Basha.

Kujtojmë se sot Grubi zhvilloi një takim edhe me presidentin Ilir Meta, ku në fokus të diskutimit të tyre ishin marrëdhëniet mes dy vendeve dhe regjistrimi i popullatës që mbaron në 21 prill.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re