Instituti italian i Statistikave ka publikuar censusin e fundit rreth te dhenave mbi popullsinë italiane i cili ofron një panorame të plotë dhe për komunitetet e emigrantëve të huaj në Itali, mes të cilëve dhe shqiptarët.

Sipas raportit te sapo publikuar të INSTAT, në Itali jetojnë 421 589 emigrantë shqiptarë e është ndër komunitetet më të shumta në numër ndër ato ekstra komunitare.

Mosha mesatare e emigrantëve shqiptarë në Itali është 33 vjeç, ndërsa ndarja gjinore është pothuajse e barabartë 51,1% janë meshkuj e 48.9% femra.

25,1% e numrit të përgjithshëm të tyre janë  minorenë.

Analiza e ekspertëve italianë të statistikave, ka identifikuar se në çdo 100 emigrantë në Itali, 8.4 prej tyre janë emigrantë shqiptarë, duke i renditur për dendësi ndër më të shumtit në numër pas emigrantëve rumunë që regjistrojnë 22.7 shtetas në çdo 100 emigrantë.

Sipas raportit të census të popullsisë italiane, në periudhën kohore 2001-2019, komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Itali është rritur me 143. 6%.

Përqindja më e lartë e tyre është pozicionuar në pjesën veri-perëndimore të Italisë, e rreth 35.2%.

Qytetet italiane më të populluara nga emigrantë shqiptarë janë Milano ku jetojnë 5.1% e numrit të përgjithshëm, Firence ku banojnë rreth 3.8%  e tyre, Roma ku banojnë 3.6% e Bari me 2.9%.

Sipas historikut të Institutit Kombëtar Italian të statistikave më vitin 2001 në Itali jetonin 173 064 shqiptarë, në vitin 2011, 451 437 shqiptarë e në vitin 2019, 421 589.

Censusi i sapo publikuar i ISTAT italian informon se në Itali jetojnë  5 039 637 emigrantë, ndërsa numri i përgjithshëm i popullsisë është 59.641.488 me një tkurrje me 175 mijë banorë më pak në krahasim me statistikat e fundit të 31 dhjetorit 2018.

Komuna më e populluar në Itali është kryeqyteti Romë me 2.8 milionë banorë e komuna më e vogël Morterone në provincën e Lecco-s me 30 banorë.

Ndërsa rajonet më të populluara nga emigrantët janë Lombardia, Lacio, Trentino-Alto Adige ed Emilia-Romagna.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re