Në kuadër të komunitetit serb në veri të Kosovës, ka ende një reagim të dobët ndaj regjistrimit të popullsisë, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

Sipas tij, për dallim nga serbët në veri, serbët në jug të Kosovës janë regjistruar masivisht në regjistrimin e dytë në Kosovë pas vitit 1999.

Në një konferencë për media në Prishtinë, ai tha se për shkak të bojkotit të regjistrimit në veri, ku jeton popullata shumicë serbe, ka biseduar me përfaqësues të disa institucioneve ndërkombëtare, të cilët do t’ua përcjellin serbëve në Kosovë detajet e takimeve.

“Duhet ta dinë se është mirë që ta dinë numrin e atyre që jetojnë në ato komuna”, ka thënë Kastrati që edhe një herë u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në regjistrim.

Serbët që jetojnë në katër komuna në veri të Kosovës bojkotuan regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, ndërsa përgjigja e serbëve në jug të lumit Ibër ishte vetëm e pjesshme.

Sipas atij regjistrimi, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte përafërsisht 1.8 milionë, prej të cilëve rreth 25,000 ishin serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100,000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të zgjasë deri më 17 maj dhe partitë serbe e kundërshtojnë atë sepse mendojnë se “nuk është koha e duhur” për këtë proces.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re