Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Floida Kërpaçi, është shprehur se çerdhet dhe kopshtet në Bashkinë e Tiranës nuk janë të mjaftueshme.

floida

Përmes një deklarate për mediat, Kërpaçi ka thënë se Bashkia i ka kushtuar zero vëmendje problematikave për arsimin parashkollor.

Ajo shtoi se vetëm nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimit, Bashkia e Tiranës ka mbledhur në 8 vite 400 milionë euro, të cilat sipas saj, nuk janë kthyer në shërbim të komunitetit.

Deklarata e plotë për mediat e nënkryetares së Partisë së Lirisë, Floida Kërpaçi

Përshëndetje,

Në Bashkinë e Tiranës çerdhet dhe kopshtet publike nuk janë të mjaftueshme për t’ju përgjigjur nevojave të familjeve në kryeqytet. Në shumë komunitete si Astiri, Dajti, Zona afer Liqenit të Thatë, e mjaft te tjera, familjet janë në hall të madh e të përditshëm; sepse fëmijët nuk kanë ku ti çojnë në çerdhe e në kopshte!

Zero vëmendje nga Bashkia dhe pafund shpenzime mujore që duhet të paguajnë vet familjet për tua siguruar në privat regjistrimin fëmijëve. Në shumicën e rasteve janë familje me më shumë se 1 fëmijë e ku pagesat për ti përballuar për në privat bëhen të pamundura!

Muaji Qershor është muaji i dhimbjes së kokës për të gjjtha ato familje e prindër, që duhet të vrapojnë dhe të kalojnë peripecitë për të regjistruar fëmijët në çerdhet dhe kopshtet shtetërore.

Pasi dhe zgjidhja që do duhet ti japin kësaj çështje kaq kritike për fëmijën, do të ndikojë dhe tek e gjithë jeta dhe ekonomia familjare e tyre.

Afati i dhënë nga bashkia Tiranë për regjistrimin në çerdhe ka qenë java 5-9 qershor, ndërsa java e datës 12-23 qershor është ai për kopshtet.

I japim zë përmes këtij komunikimi publik zërave të shumë familjarëve për burokracitë dhe sjelljet klienteliste të administratës së Bashkisë Tiranë, të cilat, në vend që t’ja bëjnë sa më të lehtë prindërve aksesin në këto institucioneve, në shumicën e rasteve kanë një sjellje krejt tjetër.

Ne do të dedikojmë çdo energji për të çuar përpara zgjidhjet konkrete që ofrojnë më shumë cilësi për fëmijët e Tiranës, të cilët meritojnë kopshte dhe çerdhe me standarde europiane, për aq kohë sa edhe taksat që prindërit e tyre i japin bashkisë janë të niveleve europiane.

Me nisjen e punës së këshillit të ri bashkiak, ne do të kërkojmë transparencë të plotë për menaxhimin e fondeve publike nga Bashkia Tiranë që kanë shkuar për arsimin.

Do të kërkojmë llogaridhënie të plotë për taksën e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimit, nga e cila vetëm vitin shkoi Bashkia ka mbledhur 60 milionë Euro.

Në 8 vite Bashkia e Tiranës ka mbledhur 400 milionë Euro nga kjo taksë e ndikimit në infrastrukturë, e mjaftueshme për të pasur çerdhe, kopshte, por edhe shkolla publike në çdo lagje, për ti ofruar ambjente komode edukimi pranë banesës çdo fëmije apo nxënësi.

Edhe njëherë, në kushtet kur drejtuesit e bashkisë Tiranë nuk e kanë vullnetin për ti dhënë zgjidhje këtyre problemeve, ripërsërisim shqetësimin e prindërve të Tiranës, që meritojnë të marrin një shërbim më të mirë për taksat që paguajnë dhe jo indiferencën institucionale të ofruar deri më sot.

Faleminderit!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re