Skena e Teatrit të Operas dhe Baletit shkëlqeu nga yjet e futbollit.

Këtë të hënë u zhvillua ceremonia e “Topit të Artë” për futbollin shqiptar, ku të gjithë ata që kanë spikatur në sezonin që lamë pas dhe në atë aktualin janë vlerësuar me çmime.

Berat Gjimshiti, “Lojtari i Vitit i Kombëtares”

Çmimin e dha kryeministri Edi Rama, i cili nuk i kurseu batutat në fjalimin e tij.

Si nuk i dhatë asnjë votë Armand Dukës?! Është kënaqësi që ta lexoj emrin si lojtari i vitit nga Kombëtarja. Duke të falënderuar për forcë dhe shembull që ej në fushë. Të falënderoj që na bëre të harrojmë Lorik Canën. E fute te pensionistët që del këtu dhe përshëndet. Të uroj më shumë forcë dhe vullnet për të rritur çunat në prapavijë”, tha Rama.

Mario Mitaj, “Zemra Kuqezi”

Mario Mitaj është përzgjedhur si “Zemra Kuqezi” në ceremoninë që u zhvillua për “Topin e Artë” shqiptar.

Ky çmim është votuar nga të gjithë anëtarët e klubit “Tifozët e Kombëtares”.

Tifozët patën mundësi të votonin përmes një e-mail-i të dërguar nga FSHF dhe pas numërimit të votave, fitues u shpall mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj.

Ky trofe pasqyron vlerësimin e tifozëve për paraqitjet e tij të jashtëzakonshme dhe përkushtimin ndaj fanellës kuqezi. Trofeun ia dorëzoi Lorik Cana, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares.

Edlir Tetova zgjidhet “Trajneri i Vitit”

Edlir Tetova është zgjedhur si “Trajneri i Vitit” në Shqipëri. Çmimin e mori nga trajneri i Kombëtares, Silvinho.

Për të dytin vit radhazi, tekniku i Egnatias, Edlir Tetova është shpallur fitues i trofeut “Trajneri i vitit”, pas një tjetër edicioni të shkëlqyer me ekipin rrogozhinas, me të cilin fitoi kampionatin.

Përzgjidhet formacioni i vitit në Superiore

Portier: Mario Dajsinani

Mbrojtës i majtë: Emiljano Musta

Qendërmbrojtës: Naser Aliji

Qendërmbrojtës: Arbenit Xhemajli

Mbrojtës i djathtë: Abdurrahman Fangaj

Mesfushor i majtë: Adnard Memeti

Mesfushor qendror: Albano Aleksi

Mesfushor i djathtë: Esat Mala

Sulmues i majtë: Edi Prengu

Qendërsulmues: Bekim Balaj

Sulmues i djathtë: Baton Zabërgja

Formacioni më i Mirë i Vitit të Superiores përzgjidhet nga gazetarët dhe opinionistët sportivë, sipas skemës 4-3-3.

“Tifozët mërziten çdo javë…”, zgjidhet “Arbitri i vitit”

Kreshnik Cjapi është shpallur fituesi si arbitri më i mirë i vitit në Shqipëri.

Gianluca Rocchi dhuroi çmimin për arbitrin më të mirë në Shqipëri për vitin 2025.

Xhesika Ndoji, fituese e çmimit “Talentja e Vitit”

Xhesika Ndoj është shpallur për të dytin vit radhazi fituese e çmimit “Talenti i Vitit” në kategorinë e vajzave, gjatë mbrëmjes gala “Topi i Artë 2025”.

Futbollistja e re u vlerësua për paraqitjet e qëndrueshme, progresin e vazhdueshëm dhe potencialin e saj gjatë gjithë sezonit.

Fabjan Përndreca shpallet “Talenti i vitit” për djem

“Ky trofe është prej përpjekjeve të mia. Kemi sakrifikuar dhe luftuar shumë për të arritur deri këtu. Falenderoj trajnerin, shokët dhe familjen time që më ka mbështetur në çdo hap”, tha Përndreca.

Mbrojtësi i Bylisit dhe i Kombëtares U-21 u vlerësua për paraqitjet e tij dhe potencialin e shfaqur gjatë sezonit.

Bekim Balaj fiton “Këpucën e Artë”

Bekim Balaj fitoi Këpucën e Artë falë 19 golave që ka shënuar me Vllazninë në kamipionatin shqiptar. Por duket se golin më të bukur ai e ka shënuar në jetën private.

Balaj bëri me dije gjatë ceremonisë së “Topit të Artë” për futbollin shqiptar se do të bëhet baba. Ai tregoi gjatë ceremonisë edhe gjininë e fëmijës, duke u shprehur se pret një djalë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re