Dy gjimnazistët, Reivis Qoku nga shkolla “Ismail Qemali” dhe Kejsi Zeraliu nga gjimnazi “Sami Frashëri”, janë shpallur vullnetarët e vitit 2023.

Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpërndau certifikata mirënjohje për të rinjtë, të cilët i kanë kushtuar kohë shoqërisë dhe komunitetit.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për vullnetarët më të përkushtuar të vitit, Veliaj tha se Tirana është një shembull i mirë i vullnetarizmit, çka e ka treguar në raste fatkeqësish natyrore, si tërmeti apo pandemia.

“Të qenit vullnetar nuk është çështje e një vendi që ka apo e një vendi që s’ka të ardhura, nuk është as çështje e mundësive të atyre që kanë shumë para, apo pak para. Vullnetarizmi nuk del kurrë nga moda dhe unë jam super krenar për secilin prej jush, që i ka dhënë një orë, një ditë, një javë, apo qoftë edhe një aktivitet të vetëm si vullnetar Bashkisë së Tiranës dhe qytetit tonë.

Është shumë e rëndësishme të dilni mirë në mësime – ajo është detyra juaj kryesore, por unë besoj se përveçse të jeni nxënës i mirë, të qenit një djalë, një vajzë e mirë, që qenit një qytetar i mirë është po aq e rëndësishme. Vitin tjetër do të kemi prapë nevoja në qendrat tona sociale, në shtëpitë e fëmijës, ndaj e mirëpresim ndihmën tuaj, edhe për ndihmuar personat me aftësi të kufizuara, gjyshër e gjyshe që kanë nevojë për dashuri e respekt dhe mirënjohjen që vjen nga zemra juaj,” tha Veliaj.

Nxënësit që morën certifikata mirënjohje u shprehën mirënjohës për këtë vlerësim.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re