“Të rraftë kanceri në fyt”, është një mallkim i njohur ndër shqiptarë. Dhe se ç’farë torture është ky lloj kanceri, e ka rrëfyer këtë një njeri me famë që ka vuajtur vitet e fundit prej tij, ama nuk ka vdekur dhe vijon të jetojë.

Aktori Edward James Olmos ka zbuluar se priste të vdiste nga kanceri në fyt.

Ai detajoi sëmundjen shkatërruese, trajtimin e dhimbshëm dhe jetën e re me një shërim të mrekullueshëm.

Olmos tha se nuk ishte i sigurt nëse do të zgjohej në vitin 2022, duke ndjerë se trupi i tij dorëzohej pasi u shkatërrua nga kanceri, rrezatimi i rëndë dhe trajtimet e kimioterapisë.

“Kjo më ka shkuar në mendje shumë e shumë herë gjatë procesit, sepse nuk mund të gëlltitesh, nuk mund të flasësh, nuk mund të hash, nuk mund të pish, nuk mund të bësh asgjë”, tha ai.

Ai deklaroi se ky trajtim i kancerit është aq i vështirë sa “zakonisht të vret”.

Megjithatë, aktori arriti t’ia dalë mbanë dhe tani ka një “jetë të re” dhe është shumë mirënjohës që mund të shijojë sërish karrierën e tij të aktrimit pesëdhjetëvjeçar. Fituesi i Emmy dhe Golden Globe tha se puna e tij në filma dhe televizion është “thelbi i jetës” për të tani.

Olmos tha se koha më e vështirë për të ishte fundi i trajtimit.

“Kam pasur trajtimin tim të fundit më 20 dhjetor 2022 dhe dy deri në tre muajt e ardhshëm ishin më të vështirët nga i gjithë trajtimi”, tha ai.

“Kur ndaluan të gjitha kimioterapitë, të gjitha rrezatimet dhe të gjitha trajtimet, trupi u dorëzua… Dhe atëherë u bë shumë e vështirë. Por pas kësaj, në 90-100 ditë, unë isha në formë shumë më të mirë. Edhe sot, ndihem shumë i fortë dhe bëj shumë ushtrime fizike”.

Ai tha se trajtimet mjekësore i dogjën fytin dhe nyjet limfatike dhe ai duhej të ushqehej përmes një IV.

“Zakonisht trajtimi të vret, sepse ajo që përfundon është se kimioterapia dobëson trupin, shkatërron të gjitha qelizat e bardha të gjakut. Dhe ajo që në fund ndodh është se nuk keni sistem imunitar. Pra, nëse do të kisha veshka të këqija, zemër të keqe, mushkëritë e këqija, çdo gjë e keqe, nuk do të isha këtu tani për tani”.

Në qendër të rimëkëmbjes së tij është angazhimi i tij për të punuar.

“Ky është thelbi i të jetuarit. Cili është qëllimi juaj? Dhe unë jam shumë mirënjohës që vazhdoj të punoj dhe të mund të bëj filma, televizion dhe shfaqje,” shtoi ai. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re