Kryesocialisti, Edi Rama, shprehet optimist për frytet e drejtësisë së re, ndonëse thekson se sistemi i ri i iniciuar nga qeveria e tij nuk po kursen as bashkëpunëtorët më të afërt. Duke iu referuar kërkesës së SPAK për arrestimin e ish zyrtarit të lartë, Arben Ahmetaj, tanimë e autorizuar nga mazhoranca dhe opozita në Kuvend, Rama shprehet se deti nuk mund të kalohet pa u laguar dhe kabineti i tij.

 

Megjithatë, sipas tij qeveria po bën përpjekje maksimale për implementimin e drejtësisë së re, që siç ai thotë, do t’i shërbejë së nesërmes europiane të vendit.

 

“Jemi të vetëdijshëm se ky det nuk kalohet pa u lagur vetë, madje pa rrezikuar edhe mbytjen nga dallgë të larta, lodhje, humbje durimi apo të papriturat e rrugës. Të ndërgjegjshëm për gjatësinë e stërmundimshme të kësaj rruge, për telashet e pamshmangshme me karakteret e dobëta dhe për kohën që fluturon pa mjaftuar kurrë teksa bregu nga ana tjetër është ende larg, ama të sigurtë si drita e diellit se kjo përpjekje është më e madhja që mund të bëjmë për Shqipërinë europiane për fëmijët tanë, të cilët nuk do të jetojnë më me dy drejtësi, një të fortë për të dobëtit dhe një të fortë për të dobëtit, prandaj kokën lartë dhe vetëm përpara”, tha ai.

 

Si për të justifikuar “hedhjen” e Ahmetajt në rrjetën e drejtësisë, kryesocialisti thekson se nuk mund të refuzonte kërkesën e SPAK, para dosjes voluminoze që hallka e re e drejtësisë e ballafaqoi.

 

“Na u vu para dosja e një punë voluminoze hetimore. Gjykata do ta thotë. Ajo dosje krijon dyshime se dyshime të mjaftueshme që mos ta ndalojmë SPAK për kontroll. Është në dorë të drejtësisë, nëse është një rast fajësie apo pafajësie”, tha ai.

 

Kryeministri Rama ngriti kartonin jeshil në mesin e 170 deputetëve të tjerë në Kuvendin e Shqipërisë, duke autorizuar drejtësinë, që shprehet se e ka implementuar vetë kabineti që ai drejton, për të arrestuar një ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë që në kohën kur PS, tanimë në mandatin e tretë, ishte në opozitë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re