Çështja e Fredi Belerit, për të cilin Athina zyrtare kërkon që të lejohet të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës vazhdon të shkaktojë reagime dhe debate, madje edhe bllokim për Shqipërinë.

Kështu, media greke “Kathimerini” shkruan në një artikull se “Athina nuk ka pranuar përfundimin e një marrëveshjeje të BE-së me Shqipërinë për mbrojtjen dhe sigurinë”.

“Pak ditë më parë në Bruksel u mbajt një takim në nivel teknik me synim lidhjen e disa marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë brenda BE-së por dhe me shtete të tjera jashtë unionit, përkatësisht me Kanadanë, Japoninë, Ganën, Moldavinë, Norvegjinë dhe Korenë e Jugut”, shkruan gazeta.

E përditshmja greke “Kathimerini” raporton se pala greke shprehu kundërshtime për Shqipërinë. Dhe për këtë, Greqia tha se së pari Shqipëria duhet të garantojë respektimin e shtetit të së drejtës.

Në këtë kontekst, pala greke kundërpropozoi që shteti më i përshtatshëm, që është dhe aspirant për të hyrë në BE, për të lidhur një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me Bashkimin Europian, të jetë Maqedonia e Veriut.

“Ka treguar performancë më të mirë në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa standardizimi i Forcave të Armatosura sipas standardit perëndimor ka përparuar me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë”, shkruan Kathimerini duke pasqyruar qëndrimin e palës greke në takimin e Brukselit.

Megjithatë, propozimi i Greqisë për Maqedoninë e Veriut nuk u pranua. Por edhe çështja për Shqipërinë nuk u vazhdua më tej, edhe pse, sipas “Kathimerini”, Italia shprehu mbështetje shumë të fortë për Tiranën zyrtare.

Në këtë pikë pati dhe përplasje mes Greqisë dhe Italisë për shkak të qëndrimit të palëve dhe mbështetjes që Italia po i jep Shqipërisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re