“Greqia dhe Shqipëria hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre bilaterale, me vendimin për të referuar caktimin e kufijve detarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”. Kështu ka deklaruar sot Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, në një organizim të zhvilluar online nga ELIAMEP në bashkëpunim me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur Shqipëri (OSFA), mbi marrëdhëniet Greko-Shqiptare, me temë “Marrëdhëniet Shqipëri dhe Greqi: çfarë mendojnë qytetarët”.

“Ky vendim është shembullor në atë se si çështjet e rëndësishme mund të zgjidhen kur të dy palët janë përqendruar në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë,” tha Nikos Dendias, raporton Kathimerini, përcjell abcnews.al

Ministri i Jashtëm përmendi lidhjet historike midis Greqisë dhe Shqipërisë, kontributin e minoritetit grek, si dhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, në krijimin e një ure të qëndrueshme miqësie midis dy vendeve.

Ministri i Jashtëm përsëriti gjithashtu se Greqia mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa përmendi dhurimin e 20,000 vaksinave për të trajtuar Covid-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re