Debati për Teatrin Kombëtar vijon nga të dy kahet e politikës me deklarata dhe postime në rrejte sociale. Pas Bashës, që postoi në rrjetin social “Facebook” deklaratën e një viti më parë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama, që i përgjigjet kundërshtarit të tij politikë me një prononcim të hershëm të regjisorit të njohur, Mihallaq Luarasi.

Kreu i qeverisë ka shpërndarë deklaratën e regjisorit i cili shprehet se ky teatër është i pandreqshëm dhe është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë.

Një ditë më parë, kryeministri Rama publikoi mesazhin e aktorit të madh, Ndriçim Xhepa, i cili ishte i po të njëjtin mendim se Teatri Kombëtar duhet të prishet dhe të ndërtohet një godinë e re.

Ja çfarë shkruan kryeministri në rrjetin social “Facebook”:

Mihallaq Luarasi, regjizori i famshëm i Teatrit Kombëtar, u kthye në shënjestrën e pamëshirshme të diktaturës komuniste, gjatë gjuetisë së egër të shtrigave që Enver Hoxha shpalli në vitet ‘70, kundër artit e kulturës së degjeneruar perëndimore. Ai u linçua publikisht nga vetë diktatori komunist dhe u cfilit burgjeve, duke hyrë në librat e gazetat e propagandës enveriste, si një dele e zezë e regjimit totalitar. Ai sot nuk jeton më, por e ka lënë pak vite më parë amanetin e tij për Teatrin Kombëtar.
MIHALLAQ LUARASI:

Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri.

Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re