Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa, ka depozituar në Gjykatën e Apelit një kërkesë për nxitjen e shqyrtimit të çështjes që lidhet me vulën e kësaj partie.

Në një komunikim për mediat, Sefa u shpreh se PD do pranojë çdo vendim të dhënë nga Gjykata e Apelit, lidhur me vulën e Partisë.

“Në emër të PD, po bëj publik qëndrimin tonë, do të pranojmë çdo vendimmarrje të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, tha ai.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë zbardhi më 18 mars arsyet që prishën vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështjen për vulën e Partisë Demokratike, janë Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerësoi se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, përmban shkaqe, të cilat e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Tre muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj”.

Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Sipas Gjykatës së Lartë, çështja duhet rigjykuar në Apel nga një trupë tjetër. Zbardhja e vendimit i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit. Kolegji thekson se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe i interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural.

Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuar tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Gjykata e Lartë vlerëson se në rastin kur padia apo kërkesa paraqitet nga një person që i mungon zotësia për të vepruar, Gjykata e Apelit vendos mospranimin e gjykimit të padisë, ose pushimin e gjykimit të padisë.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë.

LEXO EDHE: Vula e PD-së, Gjykata e Lartë zbardh vendimin! Çështja do të rigjykohet nga Apeli me një trupë tjetër, ja shkeljet e kryera

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re