SHQIPËRI- Gjykata vendosi të martën të shtyjë vendimin për kërkesën e avokatëve të Fatmir Mediut për gjykim të zakonshëm në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Vendimi për këtë do të merret më 8 shtator në orën 10:00.
Në këto kushte, avokatëve të ish-ministrit të Mbrojtjes iu është dhënë kohë të plotësojnë kërkesën për gjykim të zakonshëm, të specifikojnë provat dhe dëshmitarët. Juristja Brisida Gjikondi, tha se ku është një truk procedural i avokatëve duke lënë të kuptohet se ka një bashkëpunim nën rrogoz edhe me gjykatën.
E ftuar në “Special Report”, Gjikondi tregoi pjesën e “hiles”, e cila po aplikohet në rastin e hetimit të Fatmir Mediut.
“E lexova si një truk i avokatëve, truk procedural për ta zvarritur çështjen, por nuk besoj se janë pa bashkëpunimin nën rrogoz të Gjykatës ose edhe më gjerë. Ku është hilja e gjykatës? Që në seancën e parë kur Mediu ka pranuar gjykim të shkurtër dhe kur është gjykim të shkurtuar automatikisht tregon se ti automatikisht pranon një pjesë të fajit dhe të ulet një pjesë e dënimit. Gjykata nuk ka dalë direkt me vendim dhe ka për detyrë të shprehet me vendim kur një palë kërkon gjykim të shkurtuar, por ka thënë se do shprehet ën fund të gjykimit për këtë kërkesë që keni bërë ju. Kjo është hilja dhe mekanizmi i bashkëpunimit ndoshta mes palëve, mes avokatëve dhe gjykatës, që kur të vijë dita e sotme që duhet të marrë ritëm gjykimi, prokuroria të jepte pretencën dhe familjarët e gërdecit të dëmtuar duhet të ishin pjesë e gjykimit, këta e risjellin procesin nga fillimin duke u tërhequr nga pozitiva e gjykimit të shkurtuar dhe nuk e pranojnë më fajin, dhe nxjerrin një ide tjetër dhe të shikojnë se “ç’donte kamera që po filmonte në atë moment dhe kush ia vuri zjarrin në atë moment”, tha ajo.
Ajo shtoi se gjithë kjo është një lojë, e cila i shërben zvarritjes së çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Berishës.
“Kjo është gjëja më e shëmtuar, sepse nuk merren me pjesën e parë se si funksiononte ajo punishte kriminale atje me abuzimin e pasurive të këtij vendi, demontimi me fëmijët, pa masa sigurie pa asgjë. Por marren me pjesën e dytë: se kush na zbuloi ne, kush na vuri zjarrin? Kjo është e pamoralshme për drejtësinë shqiptare që të bie në këtë lloj kurthi. Unë personalisht mendoj se kërkesat e avokatëve i pashë si truk që bëjnë avokatët për të zvarritur çështjen, dhe për të mos bërë që Parlamenti shqiptari t’i heqë imunitetin”, tha Gjikondi.