Ish-kryeministri Sali Berisha, nga protesta nga ballkoni i shtëpisë së tij, ka reaguar lidhur me gjyqin e zhvilluar në SHBA ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili u dënua me 28 muaj burg për marrjen e 225 mijë dollarëve dhe fshehjen e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë.

Berisha u shpreh se sipas tij, McGonigal u korruptua nga kryeministri Edi Rama për të shkatërruar opozitën dhe për të shpallur atë “non grata” nga SHBA.

“E kishte korruptuar për ta përdorur për shkatërrimin e opozitës, për shpalljen “non-grata” të Sali Berishës pa asnjë fakt”,  u shpreh Berisha.

Ndër të tjera, ish-kryeministri i vendit, paralajmëroi Ramën, duke i thënë: “Jo Xhorxh Sorosi, por forcë në botë që të mbyll dosjen me McGonigal nuk ka dhe nuk do të ketë.”

Berisha: Dje u zhvillua një gjyq në Uashington. Në këtë gjyq, kishte vetëm një dosje dhe kjo ishte dosja Edi Rama-McGonigal.

Kjo ishte dosja e fëlliqur, në të cilën kryeministri shqiptar, sipas burimeve zyrtare amerikane, kishte korruptuar shefin e kundërzbulimit të vendit të madh në botë, SHBA.

E kishte korruptuar për ta përdorur për shkatërrimin e opozitës, për shpalljen non-grata të Sali Berishës pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë të dhënë. Miqtë e mi, McGonigal, për të cilin larot e Edi Ramës, duhet të thonë se krimin e ka kryer për vendin e tij, krimin e ka kryer në Shqipëri dhe kundër Shqipërisë. Me Edi Ramën, ku u morën paratë, 225 mijë euro, që iu dhanë atij për të shkatërruar opozitën shqiptare. A ka krim më të shëmtuar se sa të përdorësh fuqinë e një vendi të madh kundër opozitës së një vendi të vogël?

Ky është krim i përmasave makbethiane. McGonigal nuk u ndal vetëm me kaq, u them larove të Edi Ramës, por hoqi licenca dhe mori licenca duke detyruar taksapaguesit e varfër shqiptarë, të paguajnë dhjetëra e dhjetëra milionë euro gjoba në arbitrazhet ndërkombëtare për ndërhyrjen e tij.

A ka akte më të shëmtuara korruptive se këto? Këto nuk mbyllen kurrë. I them unë sot Edi Ramës, jo Xhorxh Sorosi, por forcë në botë që të mbyll dosjen me McGonigal nuk ka dhe nuk do të ketë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re