Ish-ambasadori shqiptar në SHBA dhe nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, është shprehur se kryeministri Edi Rama ka shkuar shumë thellë në aferën “McGonigal” dhe nuk mund të shpëtojë dot nda drejtësia amerikane.

Komentet Nesho i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se shtatori do të jetë një muaj “i nxehtë” për këtë çështje.

“Këta janë aktorë që kanë dëmtuar interesat e kombit. Për të gjithë faktorët e deritanishëm, rëndësia që ka ky rajon që është në syrin e interesave të Rusisë, ka bërë që Kosova të shihet jo në mënyrë prioritare, por nën presionin që të lëshojë diçka. Udhëheqësi që drejton Shqipërinë nuk duhet të bënte kompromis me interesat e Kosovës, por duhet të ishte rreshtuar krahë saj.

Në mënyrë simbolike, Shqipëria dhe Kosova duhet të ishin një gjatë kësaj kohe. Unë mendoj që Rama me këtë qëndrim që po mban qeveria e Kosovës, duke mos e pranuar si negociator në problemet e Ballkanit, prania e tij do të zhduket. Kurti e kishte shumë të lehtë të firmoste gjithçka kërkonte SHBA dhe BE, t’i jepte një copë tokë Serbisë që të kënaqej Vuçiç dhe të qëndronte 20 vite në pushtet siç po bën Rama.

Konfliktet gjithmonë krijojnë dhe përkrahen nga aventurierët. Nëse nuk do të kishim një Albin Kurti, ne do të duhet ta krijonim. Rama ka shkuar shumë thellë në çështjen McGonigal dhe nuk mund të shpëtojë. Nëse do të kishte një përpjekje për të shpëtuar, do të shpëtonte që në fillim, sin ë rastin e fotografisë me ish-presidentin Barack Obama. Mendoj që Rama nuk mund të shpëtojë nga vetë ato dokumenta që do të dalin.

Gushti është një periudhë qetësie në politikën amerikane, por shtatori do të jetë i nxehtë. Duket që Rama është në një tension të jashtëzakonshëm. Ndoshta nuk ka vision për të qenë udhëheqës i një vendi, por ka mbetur në interesat e një kryetari bashkie që i mat gjërat me ‘sa do të jetë përfitimi im’”, është shprehur Nesho.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re