Shefi ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew i tha Kongresit Amerikan se aplikacioni i njohur video në pronësi kineze, i cili ka më shumë se 150 milionë përdorues në SHBA, nuk i ka ndarë kurrë dhe nuk do t’i ndajë të dhënat e tyre me autoritetet e Pekinit.

“TikTok kurrë nuk ka ndarë apo marrë një kërkesë për të ndarë të dhëna për përdoruesit e SHBA me qeverinë kineze, as nuk do të përmbushte një kërkesë të tillë nëse do të bëhej ndonjëherë,” theksoi Shou në një deklaratë me shkrim përpara Komisionit të Dhomës për Energjinë dhe Tregtinë, raporton Reuters.

Ai shtoi se kompania mëmë e TikTok, ByteDance nuk është në pronësi apo kontrolluar nga asnjë ent qeveritar apo shtetëror.

Sipas dëshmisë së tij, 60 për qind e ByteDance zotërohet nga fondet më të famshme të investimeve Sequoia Capital, Blackrock, General Atlantic, rreth 20 për qind zotërohet nga themeluesit e kompanisë, ndërsa 20 për qind kontrollohet nga punonjësit e saj, “përfshirë mijëra amerikanët”.

“Ndalimet janë të përshtatshme vetëm kur nuk ka alternativë. Por ne kemi një alternativë”, tha Shou në Kongresin Amerikan.

Nën presionin e SHBA

TikTok po përballet me një presion në rritje nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden dhe Kongresi, i cili përfshin thirrje nga disa ligjvënës për të ndaluar aplikacionin sepse dyshohet se ai mund t’i kalojë të dhënat e përdoruesve amerikanë qeverisë në Pekin.

Javën e kaluar, TikTok tha se administrata e Biden u kërkoi pronarëve të saj kinezë të heqin aksionet e tyre në aplikacion ose të përballen me një ndalim nga SHBA.

TikTok ka thënë se ka shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë për atë që e quan një përpjekje novatore për sigurinë e të dhënave të quajtur “Project Texas” dhe është përpjekur të bindë kongresmenët dhe administratën Biden që të mbështesin planin.

Komiteti për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara (CFIUS), një organ me ndikim të sigurisë kombëtare, rekomandoi unanimisht në vitin 2020 që ByteDance të heqë dorë nga TikTok. Nën presionin e presidentit të atëhershëm Donald Trump, kompania u përpoq pa sukses të finalizonte një marrëveshje me Walmart dhe Oracle në fund të vitit 2020 për transferimin e aseteve të TikTok në SHBA te një ent i ri dhe përpjekja e administratës amerikane për të ndaluar aplikacionin në atë kohë ishte e pasuksesshme në gjykatë.

TikTok tha të hënën se më shumë se 150 milionë njerëz në SHBA përdorin TikTok në baza mujore, një rritje nga viti 2020 kur 100 milionë amerikanë përdorën aplikacionin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re