I akuzuar së fundi nga opozita për lidhje me Toyota-n me euro kapur në Durrës, kryedeputeti socialist Taulant Balla ka paralajmëruar se të enjten do ketë diçka për të thënë në adresë të kreut demokrat Basha.

“Kam nisur të bëj dhe unë disa verifikime dhe i them Bashës se në fund të kësaj i ka ca lidhje me personat e përfshirë në këtë çështje. Nuk i them sot por do i ruaj. Ju garantoj se i kam gjetur disa lidhje me këtë grup kriminal. Pres sot të nxjerrë lidhjet Lulzim Basha thotë që kam unë me këta, ndërsa unë do ia ruaj për të enjten, në seancë plenare disa surpriza”, tha Balla.

Më tej ai u përbetua, siç është përbetuar dhe PD nga ana e saj, se nuk ka asnjë lidhje me çfarë akuzohet dhe se është gati për një gjyq edhe në sheshin “Skënderbej”.

“Me përgjegjësinë që i takon çdo përfaqësuesi të popullit, u them të gjithë atyre që më kanë besuar mandatin se kjo akuzë nuk qëndron në asnjë përqindje të saj. Kjo akuzë është nxjerrë nga goja e zotërisë në një moment të papërgjegjshëm në një seancë ku të gjithë qeshnim me përpjekjen donkishoteske kur Basha thoshte se kishte bërë të pamundurën për të ndihmuar Shqipërinë për çeljen e negociatave dhe vazhdoi papërgjegjshmërinë e tij edhe dje e do vazhdojë edhe sot. 

Që Taulant Balla nuk ka asnjë lloj lidhje me ndonjërin prej këtyre ju garantoj me përgjegjësi penale, jo vetëm me mandatin e deputetit. Jam gati të më bëhet gjyqi mu në sheshin ‘Skënderbej’ nëse do të ketë qoftë dhe një lidhje të vogël me të”, theksoi Balla.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re