Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë ku u takua me homologun e tij, Giorgos Gerapetritis.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hasani falënderoi ministrin grek për pritjen ndërsa theksoi se të dy rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. “Biseda jonë ishte e hapur dhe me vizion për të ardhmen, duke rikonfirmuar angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të bazuara në respekt të ndërsjellë, përputhje strategjike dhe dialog konstruktiv. Lidhjet tona mbështeten në vlera të përbashkëta, bashkëpunim të ngushtë brenda NATO-s dhe një vizion të përbashkët për një Europë më të integruar dhe të bashkuar. Me padurim pres të ndërtojmë së bashku mbi këtë moment pozitiv”,- shkroi Hasani.
Ndërkohë pas takimit mes delegacioneve shqiptare e greke, ministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp. Gerapetritis bëri me dije se diskutuan të gjithë spektrin e marrëdhënieve bilaterale.
“Hijet që kanë lëkundur marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të zhduken dhe të mos përsëriten. Duhet të shikojmë drejt së ardhmes me një qëndrim pozitiv, të bazuar në përkushtimin ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe në përpjekjen e vazhdueshme për marrëdhënie miqësore dhe fqinjësore të mira”,-tha Gerapetritis.
Kryediplomati grek e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor si të domosdoshëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Sa i përket Shqipërisë, ai theksoi se Athina zyrtare ka dhënë pëlqimin për nisjen e negociatave dhe ka “vlerësuar përparimin” që është bërë në kapituj të veçantë. Po ashtu një çështje që preku dhe që theksoi se është i rëndësishëm për Greqinë, është çështja e minoritetit grek në Shqipëri.
Ministri grek nënvizoi para gazetarëve grekë se ndjehet i lumtur përkrah Hasanit jo vetëm se diplomati shqiptar nuk ka nevojë për përkthim nga greqishtja pasi e flet atë, “falë origjinës së tij greke, të cilën ai e nderon sot”. “Pakica kombëtare greke është një nga hallkat më të forta në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Ajo ka qenë, prej shekujsh, një urë komunikimi dhe mirëkuptimi mes dy popujve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët janë dalluar për integrimin e tyre jashtëzakonisht të suksesshëm në shoqërinë greke”, u shpreh ministri grek.
Ministri Igli Hasani nga ana e tij e nisi deklaratën në greqisht. Ai tha se është koha e duhur për të pasur një qasje të mirë ndaj çështjeve ende të hapura si dhe për të forcuar një dialogun me Greqinë dhe një marrëdhënie afatgjatë. Hasani u takua edhe me Presidentin e Greqisë, Constantinos Tassoulas ku u theksua dinamika pozitive e dialogut mes dy qeverive dhe rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. “Vlerësova bashkëpunimin e qëndrueshëm ekonomik mes vendeve tona, si dhe rolin e dyfishtë të Greqisë si partneri ynë më i madh tregtar dhe përkrahës i palëkundur i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”, tha Hasani. Në kuadër të vizitës, ministri Hasani është i ftuar në një diskutim me anëtarë të Institutit ELIAMEP, një ndër institucionet më të njohura në Greqi për çështjet e politikës së jashtme dhe evropiane, ku do të paraqesë zhvillimet më të fundit në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe angazhimet e saj reformuese.
Dy ditë më parë në një intervistë për gazetën “Ta Nea”, Hasani tha se qeveria shqiptare “mbetet e hapur dhe plotësisht e përkushtuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe pezull” me Greqinë. Ai nuk përjashtoi perspektivën e Hagës për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike (ZEE) midis Greqisë dhe Shqipërisë, ndërsa u shpreh i sigurt se të gjitha çështjet dypalëshe të pazgjidhura mund të adresohen. “Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv, ne besojmë se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në mënyrë që përputhen me rregullat ndërkombëtare”,-tha ministri./Gazeta Panorama