Tetë deputetë të opozitës kanë kërkuar zhvillimin e interpelancës me ministres e Arsimit, Besa Shahini në lidhje me provimet e maturës që u zhvilluan sivjet. Kontestimet e shumta për testin e maturës, ku pyetja për Turin u bë virale, kanë çuar në nismën e thirrjes së interpelancës së ministres nga deputetët e opozitës.

Fatjona Dhimitri, Andi Përmeti, Erion Piciri, Suzana Topi, Elda Hoti, Artur Roshi, Halit Valteri dhe Alban Zeneli janë deputetët që kanë kërkuar këtë interpelancë.

“Bazuar ne nenin 80, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit, ju paraqes kërkesën për interpelance urgjente me Ministren e Arsimit, Sporteve dhe Rinise, lidhur me procedurën e administrimit të Matures Shtetërore. Mbetem në pritje të caktimit të datës së zhvillimit të interpelancës, në përputhje me afatet e përcaktuara ne Kushtetute dhe në Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e firmosur nga tetë deputetët, e siguruar nga Gazeta “Shqip”.

Pyetje për Turin pati reagime të forta dhe për këtë u bënë shumë foto dhe meme dhe shkaktoi protestën e maturantëve. Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, u pyet nga një maturante, Kejsi Spahiu, se cila është alternativa e saktë. Vrapi shpjegoi se përgjigjja e saktë është “Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi barkën”. E pyetur në lidhje me këtë alternativë, Vrapi shpjegoi se e gjitha lidhet me detajet si “shkëmbi i dhëmbëzuar” që ndodhet në fjalinë e fundit të paragrafit.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re