Më 6 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë në Ukrainë municione kundërtanke me uranium të varfëruar, pasi Britania veçse kishte njoftuar se do të dërgonte municione të tilla kundërthënëse për t’i ndihmuar Kievit që të shtyjë përpara kundërofensivën e tij ndaj forcave ruse.

Predhat 120- milimetërshe do të përdoren nga 31 tanket M1A1 Abrams, që SHBA-ja planifikon t’i dërgojë gjatë vjeshtës në Ukrainë.

Municione të tilla, që depërtojnë në mjete të blinduara, u zhvilluan nga SHBA-ja gjatë Luftës së Ftohtë për të shkatërruar tanket sovjetike, përfshirë edhe tanket e njëjta të llojit T-72 me të cilat Ukraina tani po përballet në kundërofensivën e saj.

Uraniumi i varfëruar është nënprodukt i procesit të pasurimit të uraniumit që kërkohet për të krijuar armë bërthamore. Predhat me uranium të varfëruar kanë disa veti radioaktive, por ato nuk gjenerojnë veprime bërthamore sikurse armët bërthamore, tha eksperti bërthamor në RAND, Edward Geist.

Kur në mars Britania njoftoi se po i dërgonte Ukrainës municione me uranium të varfëruar, Rusia në mënyrë të rreme pretendoi se ato kishin komponentë bërthamorë dhe paralajmëroi se përdorimi i tyre do të hapte derën e përshkallëzimit të mëtejmë. Në të kaluarën presidenti rus, Vladimir Putin, ka sugjeruar se lufta mund të përshkallëzohet deri në përdorimin e armëve bërthamore.

Uraniumi i varfëruar është nënprodukt i procesit që krijon uranium të pasuruar i cili përdoret për karburante dhe armë bërthamore. Edhe pse shumë më pak i fuqishëm se uraniumi i pasuruar dhe më i paaftë të gjenerojë veprim bërthamor, uraniumi i varfëruar është jashtëzakonisht i dendur, një cilësi që e bën atë shumë më atraktiv në formë të një predhe.

“Është aq i dendur dhe ka aq shumë momentum sa që vetëm depërton në blinda dhe nxehet aq shumë saqë shkakton zjarr”, tha Geist.

Kur gjuhet, municioni me uranium të varfëruar bëhet “në thelb një shigjetë metalike që godet me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe”, tha analisti për mbrojtje në RAND, Scott Boston.

Në vitet ’70 ushtria amerikane nisi të prodhonte predha me uranium të varfëruar që shkatërronin autoblindat dhe që atëherë e ka shtuar atë në tanket e saj për t’i forcuar ato. Po ashtu ka shtuar municionet me uranium të varfëruar edhe në municionet që gjuhen nga avionët A-10 që njihen si vrasës të tankeve. Ushtria amerikane ende po zhvillon municione me uranium të varfëruar, veçmas për predhat M829A4 për tanket M1A2 Abrams, që janë tanket kryesore luftarake, tha Boston./ Burimi AP

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re