Gazetarja e Fax News Mirilda Tili, e pyeti kreun e qeverisë Edi Rama sa i takon borxhit që ka biznesi i madh pa shlyer ndaj shtetit, i cili kap vlerën e miliardave lekëve. Rama tha se me procesin e fiskalizimit, do t’i jepet fund dhe borxheve të akumuluara, pasi për secilën kompani të dhënat do të jenë në kohë reale.
Sipas Ramës për të bërë të mundur modernizimin e procesit të fiskalizimit, qeverisë së tij do të duhet dhe një mandat tjetër, ndërsa shtoi se shteti që ai ka gjetur ka qenë prej letre.
“Është një pyetje shumë shumë me vend, se ka të bëjë me një procedurë komplekse që është krijuar në shumë vite, dhe që është pasqyrë në fakt e shtetit prej letre që kemi pasur, e transformimit që kemi bërë, dhe të asaj që do të sjellë ky proces i fiskalizimit, në mënyrë që të dalë profili i kompanive pa qenë e nevojshme që të bredhësh për të grumbulluar dosjet.
Në momentin që ne do të kemi një pamje të plotë të situatës, ne do ta adresojmë këtë, qoftë edhe në një qasje publike, pasi është irreale që mund të zgjidhen thjesht teknikisht. Për këtë do të na duhet të hapin një diskutim shumë të madhe dhe me sipermarrjen, dhe për këtë do të na duhet që të zgjatemi dhe në një mandat të tretë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj u shpreh se shifra e borxhit ka ardhur duke u shtuar me kalimin e viteve, dhe po krijohet një regjistër asetesh, në mënyrë që të përpunohen të dhënat për çdo kompani.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb


