Gadi Eisenkot u paraqit para zgjedhësve si e kundërta e Benjamin Netanyahut. Kjo është padyshim e vërtetë për sa i përket personalitetit, por cila është vizioni i tij për Izraelin dhe rolin e vendit në botë?
Presidenti izraelit, Isaac Herzog, i ka besuar ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm mandatin për formimin e qeverisë. Por çfarë ndryshimesh mund të sjellë ai, nëse arrin të ndërtojë një shumicë në Knessetin e ri, parlamentin izraelit, të dalë nga zgjedhjet e 27 tetorit?
Me siguri mund të përjashtohet mundësia e një kthese të ngjashme me atë që realizuan në vitin 1992 laburistët e drejtuar nga Yitzhak Rabin, në raport me Likudin e Yitzhak Shamir.
Në vitin 1993, një vit pas zgjedhjes së tij, Rabin shtrëngoi duart me Yasser Arafatin në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Oslos.
Përmes tyre, palestinezët dhe izraelitët u angazhuan të hapnin një rrugë drejt paqes, të cilën shumëkush e konsideronte të pamundur. Mjerisht, diçka e tillë nuk do të ndodhë.
Rabinin dhe Eisenkot-in i bashkon e kaluara si gjeneralë dhe prirja për të ndjekur një linjë të ashpër ndaj kundërshtarëve. Rabini gjatë Intifadës së Parë, në vitet tetëdhjetë, ndërsa Eisenkoti në Liban, njëzet vjet më vonë.
Por konteksti ka ndryshuar, ashtu si edhe qendra e gravitetit të politikës izraelite, e cila sot është zhvendosur shumë më djathtas.
Eisenkot, njësoj si aleatët e tij kryesorë politikë, kundërshton krijimin e një shteti palestinez. Për të, kjo çështje as që shtrohet për diskutim. Megjithatë, kjo s’do të thotë se ndryshimi i pushtetit është krejtësisht pa rëndësi.
Objektivi i parë është largimi i Netanyahut dhe i koalicionit të tij të ekstremit të djathtë nga pushteti. Ky është elementi kryesor që bashkon forcat rreth ish-gjeneralit, jo vetëm partitë që synojnë të marrin qeverisjen, por edhe partitë arabe, të cilat mund t’i sigurojnë mbështetje nga jashtë shumicës qeverisëse.
Eisenkot është distancuar nga përpjekjet e Netanyahut për të imponuar reforma joliberale në sistemin politik izraelit, të cilat shkaktuan protesta masive në vend.
Ai ka dënuar gjithashtu dhunën e kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, duke e cilësuar atë si vepër të “terroristëve”.
Në këtë kuptim, përfundimi i bashkëpunimit dhe tolerimit të këtyre akteve nga ana e ushtarëve izraelitë do të përbënte një sinjal të qartë ndryshimi, veçanërisht pas rritjes eksponenciale të dhunës gjatë muajve të fundit.
Nga ana tjetër, Eisenkot nuk do ta zbusë aspak ofensivën kundër Hamasit në Gaza, aq më tepër që edhe djali i tij u vra gjatë luftimeve që pasuan sulmin e 7 tetorit 2023.
Gjithsesi, kandidati i mundshëm për kryeministër vazhdon të mos i bëjë të qarta synimet e tij lidhur me çështjen palestineze, e cila nuk kufizohet vetëm te Hamasi.
Eisenkot është i vetëdijshëm për përkeqësimin dramatik të imazhit të Izraelit në botë gjatë tre viteve të fundit. Për këtë arsye, ai do të përpiqet të rivendosë marrëdhëniet me Evropën dhe me atë pjesë të opinionit publik amerikan që është kthyer në mënyrë të thellë kundër Izraelit.
Me siguri, ai nuk do të ndjekë idenë e shndërrimit të vendit në një lloj Spartë moderne, një fortesë të rrethuar nga armiqtë dhe të izoluar nga pjesa tjetër e botës.
Javët e ardhshme do të tregojnë nëse do të mund të formohet një qeveri e drejtuar nga ish-ushtaraku, e mbështetur njëkohësisht nga ultranacionalistë si Avigdor Lieberman dhe nga partitë arabe.
Këto të fundit janë të gatshme ta mbështesin për të larguar Netanyahun nga pushteti, por jo me çdo kusht. Nëse ky skenar realizohet, pjesa tjetër e historisë mbetet për t’u shkruar.
Shumëçka do të varet nga zhvillimet rajonale, përfshirë përplasjen me Iranin dhe aleatët e tij, Hezbollahun dhe huthinjtë, si dhe nga situata e re politike në Shtetet e Bashkuara, pas humbjes së Donald Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit.
Një gjë është e sigurt: pa Netanyahun dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë, Izraeli do të jetë një vend ndryshe. Se deri në çfarë mase do të ndryshojë, këtë do ta tregojë historia.