Prolaktina është një hormon i prodhuar nga hipofiza, një gjëndër e rëndësishme e vendosur në tru. Nga ana kimike, bëhet fjalë për një proteina funksioni kryesor i së cilës është favorizimi i prodhimit të qumështit pas lindjes, pas stimulimit që i porsalinduri ushtron në gjoks gjatë thithjes.

Ky hormon prodhohet nga njeriu dhe për shumë funksione të tjera rregulluese në trup, si për shembull:

Pjekuria e gjëndrës së qumështit (gjirit)

Sjellja (sidomos në nivelin seksual)

Sistemi imunitar

 

 

Metabolizmi

Cikli menstrual

Dhe shumë të tjera

Në kushte fiziologjike (pra normale) është e pranishme një sasi e vogël në gjak, dhe përqendrimi mbahet në kontroll nga një tjetër hormon, që është dopamina, i cili ka funksionin pengues të prodhimit të saj.

Gjatë shtatzënisë niveli i prolaktinës rritet ndjeshëm mbi të gjitha për të ndaluar ciklin menstrual e për të përgatitur organizmin femëror për prodhimin e ardhshëm të qumështit pas lindjes.

Hiperprolaktinemia (Prolaktina e lartë) është një shqetësim i karakterizuar nga prolaktina e tepërt në gjak e mund të prekë si femrat që nuk janë në pritje të një fëmije, qoftë burrat. Një shqetësim në fakt më i shpeshtë tek gratë në moshë fertiliteti pa cikël menstrual dhe me nivel të ulët të FSH.

Ndojëherë është e mundur të diagnostikohet një prodhim i pamjaftueshëm i hormonit (hipoprolaktinemia apo prolaktina e ulët) por ndodh shumë rrallë dhe tek persona me funksionim të reduktuar të hipofizës.

SHKAQET

Shkaku më i zakonshëm i prolaktinës së lartë është një tumor, normalisht beninj, që prek hipofizën (prolaktinomën); kur është voluminoze mund të shfaqë dhe simptoma të tjera si dhimbje koke, probleme me shikimin…) që e shtyjnë gruan ti drejtohet mjekut për një diagnozë.

Rritja e nivelit të prolaktinës mund të ketë dhe shkaqe të tjera si:

Disa antidepresivë (triciklikët dhe SSRI),

Disa antipsikotikë (klorpromazine, aloperidol, …),

Disa ilaçe për kontrollin e tensionit si nifedipina etj

 

Ilaçet për ulçerën (ranitidina)

Antinauze dhe prokinetiket (metoclopramide, levosulpiride, …),

Estrogjeni për trajtimin e simptomave të menopauzës

Përdorimi i produkteve bimore si kopër, fara finoku dhe tërfili i kuq

Irritimi i kafazit të kraharorit (shkaktuar nga shenjat kirurgjike, apo nga një reçipetë shumë e ngushtë)

Stresi

Ushtrimet fizike

Shqetësimet e gjumit (niveli i prolaktinës është shumë i lartë sidomos gjatë natës)

hipotiroidizmi

Çrregullime kronike të mëlçisë dhe veshkave

Konsumi i disa ushqimeve

Tumoret e hipofizës(janë tumore të vegjël, por provokojnë rreth 30 për qind të rasteve me hiperprolaktinemi)

SIMPTOMAT

Tek gratë simptomat e mundshme janë:

Ulje e nivelit të progesteronit pas ovulimit, me çrregullime menstruale pas saj

Oligomenorrea (cikli menstrual më i rrallë se zakonisht)

Amenorrea (ndërprerje e ciklit menstrual)

Galaktohrrea (prodhim i qumështit i pavarur nga lindja)

Thatësi e vaginës

Tek burrat simptomat e mundshme janë këto:

Galaktohrrea (prodhim i qumështit i pavarur nga lindja) dhe gjinekomastia (zhvillim i tepër i gjirit)

Impotenca

Zvogëlim i libidos

Infertiliteti

Zvogëlim i masës muskulore

Rënie e sasisë së flokëve.

VLERAT

Përsa i përket vlerave normale të prolaktinës është e nevojshme ti referohemi intervalit të normalitetit në referimin e laboratorit, por mund të përpiqemi të raportojmë vlerat maksimale.

Tek gratë e rritura shkojnë nga 2 në 29 ng/mL (nanogram për mililitër) ndërsa te gratë shtatzëna dhe që sapo kanë lindur mund të shkojë deri në 200 e lart. Nëse pas lindjes gruaja nuk ushqen me qumësht gjiri foshnjën vlerat ulen brenda jë harku kohor prej 2 javësh dhe kthehen në normalitet brenda 3 muajsh.

Tek burrat këto vlera janë më të ulëta, (disa burime thonë 18 ng/mL me një mesatare prej 6-7 ng/mL). Një vlerë më e lartë se 250 ng/mL lidhet në përgjithësi me praninë e prolaktinomës. (Sipas MedScape, portalit amerikan për profesionistët e shëndetit)

Ajo që duhet theksuar është njësia matëse që përdoret, që mund të ndryshojë në analiza me burime të ndryshme.

Gjumi, stresi apo ushtrimet fizike rrisin nivelin e prolaktinës që qarkullon, dhe ndonjëherë rezultati del më i lartë se zakonisht, prandaj për këtë kërkohet përsëritje e analizës në 2-3 kohë të ndryshme .

DIAGNOZA

Nëse cikli menstrual është i parregullt, ose nuk ju vjen, nëse prodhoni qumësht apo keni probleme të mbeteni shtatzënë, apo qoftë dhe nëse ju ose partneri juaj keni simptoma të mundshme të hiperprolaktinemisë, mjeku do ju kërkojë një analizë gjaku për të matur nivelin e prolaktinës. Nëse është i lartë do ju kërkohet përsëritja e analizës, esëll, kur të jeni më pak të stresuar në dy faza.

 

Nëse niveli i prolaktinës rezulton sërish i lartë, mjeku do ju kërkojë disa analiza të tjera të nevojshme për të përjashtuar problemet me tiroiden apo veshkat.

Nëse tiroidja dhe veshkat funksionojnë normalisht, rezonanca magnetike apo tomografia boshtore e kompjuterizuar, TAC, janë në gjendje të identifikojnë tumorin e mundshëm të hipofizës që mund të shkaktojë shqetësimin.

Nëse skanimi me rezonancë magnetike apo tomografi zbulon një nodul, ajo klasifikohet sipas përmasave të saj në mikroadenom dhe makroadenom nëse ka diametër më të madh se 1 centimetër.

KURA DHE TRAJTIMI

Personat që kanë të larta vlerat e prolaktinës por pa sintoma dhe shqetësime në përgjithësi nuk kanë nevojë për trajtim.

Prolaktinoma

Në rastin e prolaktinomës zgjedhja e parë e trajtimit është me ilaçe që jepen nga mjeku si bromocriptina (Parlodel) apo cabergolina (Dostinex), kjo e fundit tashmë më e përdorur.

 

Doza jepet në mëmyrë që të rikthejë vlerat në intervalin e normalitetit dhe trajtimi vijon për dy të paktën dy vjet, pas së cilit bëhet regresi i mundshëm i tumorit, që çon në ndërprerjen e terapisë. Gjatë kësaj periudhe megjithatë bëhen verifikime periodike për të parë ecurinë.

Në raste e recetës në përpjekje për të ngelur shtatzënë terapia ndërpritet në rast se testi del pozitiv, por sigurisht duke e biseduar me gjinekologun.

Disa pacientë mund të mos i përgjigjen trajtimit ose të kenë efekte anësore të padurueshme, dhe në këto raste alternativë është kirurgjia.

Shumë rrallë por mund të kërkohet dhe një trajtim radioterapeutik.

Hiperprolaktinemia e nxitur nga një ilaç

Në raste kur arsyeja e e rritjes së vlerave të prolaktinës është një ilaç që merr pacienti, atëherë kërkohet një alternativë e vlefshme, nëse nuk do të ishte e mundshme ti bashkangjitet një nga dy ilaçet që përmendëm më lart.

Është shumë e rëndësishme që pacienti të MOS anulojë asnjë terapi që po ndjek pa konsesusin e mjekut.

Hipotiroidizmi

Në rastin e tiroideve “dembele” do të përshkruhet një terapi kronike me ilaçe për të mbështetur funksionin (në përgjithësi levotiroxina), dhe do të jetë mjaftueshëm për të ulur nivelin e prolaktinës

/shkollaeshendetit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re