Boronicat vlerësohen për vlerat e tyre të shumta shëndetësore – nuk është çudi, duke pasur parasysh se ato përmbajnë më shumë antioksidantë se çdo frut tjetër.

Por çfarë ndodh me trupin tuaj kur hani boronica çdo ditë? Le të zbulojmë vlerën ushqyese të boronicës dhe përfitimet e mundshme shëndetësore.

Boronicat janë të pasura me shumë vitamina dhe antioksidantë. Një filxhan me boronica (150 gram) përmban:

  • Kalori: 86
  • Karbohidratet totale: 22 g
  • Fibra dietike: 4 g
  • Sheqernat totale: 15 g
  • Proteina: 1 g
  • Yndyra totale: 0 g
  • Yndyra të ngopura: 0 g
  • Natriumi: 2 mg
  • Kaliumi: 116 mg
  • Vitamina C: 15 mg
  • Vitamina K: 29 μg (mikrogram)
  • Vitamina A: 5 μg

Përfitimet shëndetësore të boronicave

Çfarë i ndodh trupit tuaj nëse konsumoni boronica çdo ditë?

  1. Zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kronike

Boronicat janë të pasura me antocianina, të cilat ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike. Sipas një studimi të vitit 2020 në Advances in Nutrition, këto komponime luftojnë stresin oksidativ dhe inflamacionin – dy faktorë të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjeve kronike.

Dietologët konfirmojnë se konsumimi i boronicave mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve dhe problemeve të caktuara, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2 dhe humbjen e kujtesës. Kjo mendohet të jetë për shkak të pranisë së antocianinës (të cilat janë pigmente të fuqishme dhe antioksidantë) në boronica.

  2. Përmirësojnë shikimin

Boronicat kanë vitamina C dhe A, të cilat nevojiten për të ruajtur shikimin dhe për të zvogëluar rrezikun e degjenerimit makular të lidhur me moshën.

Boronicat përmbajnë sasi të larta në flavonoide, të cilat ulin rrezikun e kataraktave dhe degjenerimit makular.

  3. Përmirësojnë tretjen

Boronicat janë një burim i mirë i fibrave, një lëndë ushqyese thelbësore që mund të nxisë tretjen, të parandalojë kapsllëkun dhe të mbajë një zorrë të shëndetshme. Një dietë e pasur me fibra ndikon në një shëndet më të mirë metabolik dhe të tretjes.

  4. Përmirësojnë shëndetin e lëkurës

Antioksidantët në boronicë si dhe vitamina A  mbrojnë lëkurën tuaj nga plakja e parakohshme duke luftuar radikalet e lira. Ato gjithashtu mund të nxisin prodhimin e kolagjenit, duke rezultuar në lëkurë më të lëmuar dhe më të fortë.

  5. Zvogëlojnë inflamacionin kronik

Inflamacioni kronik është shkaktari i shumicës së sëmundjeve kronike. Për fat të mirë, boronicat janë të mbushura me komponime anti-inflamatore që ndihmojnë në luftimin e këtij shkaku të problemeve shëndetësore.

Boronicat kanë më shumë polifenole se çdo manaferrë tjetër. Polifenolet janë fitonutrientë me veti anti-inflamatore. Studime të ndryshme kanë zbuluar se boronicat mund të zvogëlojnë inflamacionin e shkaktuar nga mbipesha, gjë që mund të përmirësojë shëndetin e përgjithshëm metabolik.

  6. Luftojnë infeksionet

Një përmbledhje e vitit 2021 e botuar në Clinical Nutrition ESPEN vuri në dukje se polifenolet që gjenden në boronica – antocianinet, flavonoidet dhe acidet fenolike – kanë veti antibakteriale dhe antivirale që mund të ndihmojnë në parandalimin dhe mbrojtjen e infeksioneve virale.

– Në përgjithësi, shtimi i 1/2 deri në 1 filxhan boronica të freskëta ose të ngrira në dietën tuaj ditore është një sasi e shëndetshme dhe e rekomanduar nga dietologët. Kjo sasi siguron një dozë të konsiderueshme antioksidantësh, vitaminash dhe fibrash.

Boronicat mund të jenë të shkëlqyera për shëndetin tuaj për shkak të përmbajtjes së tyre të pasur ushqyese, duke përfshirë vitamina, fibra dhe antioksidantë. Ato mund të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kronike, të përmirësojnë shikimin, të përmirësojnë tretjen dhe të forcojnë sistemin imunitar. Përveç kësaj, antioksidantët e boronicës mund të ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës nga plakja e parakohshme dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kronike duke ndihmuar në zbutjen e inflamacionit kronik. Megjithatë, nëse keni ndjeshmëri ndaj salicilatit, boronicat mund të shkaktojnë reaksione negative.

Për të shijuar boronica çdo ditë, mund t’i përfshini ato në dietën tuaj duke i shtuar në drithëra, smoothie, gatime, reçel ose në sallata të freskëta./ EatingWell.com, Dietologe Maria Laura Haddad-Garcia

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re