Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pasi GJKKO vendosi si avokate mbrojtëse të tij Valentina Todoreskun, e cila shpërndan në rrjetet e saj Facebook, statuset e Edi Ramës.
Berisha e quajti një “enveriste”, ndërsa shtoi duke ironizuar se “mirë boll që nuk kishte nxjerrë Enver Hoxhën në shtrat, por Ramën”.
Berisha: “A e patë atë Enveristen dje çfarë ishte ajo më, mirë boll që nuk kishte nxjerrë Enver Hoxhën në shtrat, por Ramën. Të paktën këtë gabim se kishte bërë. Se do të quhej nekrofili pastaj”.
Valentina Todoresku u zgjodh ditën e djeshme (27 tetor) pasi dy avokatet e tjera Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, të zgjedhura nga shteti për të bërë mbrojtjen e Sali Berishës pas “shkarkimit” të Artan Simonit, refuzuan për të marrë përsipër mbrojtjen e ish-kryeministrit në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Pas përzgjedhjes së Todoreskut, reagoi edhe Shkëlzen Berisha në një postim në Facebook, i cili shkruante sipas tij, gjykatësja ka goditur serish, ku pas avokatit Artan Simoni, i cili e quante Berishën si “bisha i plakur” i ka caktuar babait të tij si avokate mbrojtëse “patronazhisten e kryeministrit Rama”.
“Gjykatesja e Rames, godet serisht! Pas avokat “bishes” cakton per avokate te Berishes, patronazhisten e Rames!”, shkroi ai.
Avokati Artan Simoni kishte bërë një status të papërshtatshëm për ish-kryeministrin dy ditë para se të zgjidhej avokat i Sali Berishës, më 26 tetor, gjë e cila u ironizua nga Shkëlzen Berisha, dhe më pas gjykata vendosi ta përjashtonte.
“Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha?!”-ishte statusi i Artan Simonit.
