Nga Silvana Kola- Loka

(Psikologe)

Ne, mjeket kurues , jemi shumë gjëra për pacientët tanë

Për disa, ne jemi njeriu i parë që dëgjon Sekretin e tyre më të madh. Duhet një vesh i pajisur me shpirt dhe dije për ta bërë këtë, që ai të mos vazhdojë të jetë një sekret që e mban peng pacientin.

Për disa, ne jemi modeli i tyre. Duhet përgjegjësi dhe përulësi e madhe të jesh modeli i dikujt, i cili vjen nga pozita e atij që ka nevojë për ne.

Për disa, ne jemi arena ku ata bëjnë luftën më të madhe me veten. Duhet dashuri dhe përkujdesje e madhe për të krijuar mjedisin e duhur njerëzor ku pacientët të duan t’i shkojnë ‘luftës’ deri në fund, dhe të ndjejnë vazhdimisht se dikush i do dhe pranon, pavarësisht gjithçkaje që ATA nxjerrin në sipërfaqe.

Për disa, ne jemi thjesht një tjetër mjek  tek i cili ata kanë ardhur sa për të mos iu mbetur merak. Duhet angazhim i madh për ta ndihmuar pacientin të krijojë besim tek vetja: sepse, tek e fundit, do jetë ai, i cili me ndihmën tonë, do mundet të ndihmojë veten.

Për disa, ne jemi arsyeja e vetme për të cilën ata besojnë se duan të qëndrojnë gjallë, sepse askush tjetër nuk i do. Duhet durim i madh, dashuri dhe maturi e pamatë për ta ndihmuar dikë të ndërtojë një jetë që ia vlen të jetohet, përtej terapisë.

Ne, mjeket, jemi kaq shumë dhe shumë të tjera.

Si ia dalim ne? Me shumë dashuri; me shumë punë; me shumë lexime; me shumë kujdes; me shumë etikë: me shumë…

Ne, mjeket , kërcënohemi çdo ditë nga shterrja. Kjo është një e vërtetë e përbotshme.

A dëshironi të na ndihmoni?

Ju lutem, na trajtoni me rëndësinë që na takon, bashkë me përgjegjësinë që buron prej saj!

Na e njihni kontributin, bashkë me gjithçka tjetër që duhet ta bëjmë më mirë.

Mbi të gjitha, kërkoni ndihmën tonë, qoftë edhe për të mësuar gjëra për kuriozitet.

Edhe ne mund te shterojme nje dite , si të gjithë ju. Vetëm se, fundi ynë, përtej shterrjes, mund të vijë edhe nga fakti se dikush mendon se ‘terapia nuk është zgjidhje’.

Më besoni! Terapia është zgjidhje, edhe kur nuk është. Edhe kur mjekimi nuk ndihmon (për 100 e ca arsye), pacienti do të ketë një mundësi të artë që, tek mjeku, të gjejë një njeri. Të gjejë NJERIUN!

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re