1760 shkolla në të gjithë vendin kanë hapur dyert e tyre për të pritur nxënësit në vitin e ri akademik, që duket se do të jetë shumë i ngjashëm me vitin e kaluar, ku mësimi me turne dhe kushtet anticovid do të jenë prezent në të gjithë vendin.

Janë rreth 480 mijë nxënës që do të ulen në bankat e shkollës, nga të cilët rreth 30 mijë janë në klasën e parë. Prindërit kundërshtojnë mësimin me turne, dhe shkurtimin e orëve të mësimit në 30 minuta, pasi sipas tyre kjo është e pamjaftueshme për të marrë dijet e duhura.

Gazetarja e Fax News Sara Demushi ka qenë e pozicionuar në shkollën ‘Kosova’ në Tiranë, ku prindërit këmbëngulin se mësimi me turne nuk është i vlefshëm për dijen e nxënësve. Skenarin e mësimit online prindërit e konsiderojnë të papranueshëm.

“Për mua mësimi me turne nuk ka asnjë vlerë, është shkatërrues, fushën e arsimit e njoh dhe jam kundër”, shprehet një prej prindërve.

Ndërkohë që një tjetër prind shprehet: “Në kohën që marrim fëmijët me turne, nuk llogarisim as punën e as mësimin, sidomos për ciklin fillor, por nuk na ka pyetur njeri. Unë nuk e mendoj dot, çfarë mund të bëjnë mësuesit për 30 minuta? Arsimi këtu te ne ka shumë rezerva, mësuesi në 30 minuta nuk ka kohë që të thërrasë as emrat, jemi të detyruar që ta pranojmë kështu siç na u dha. Është baza e edukimit arsimi fillor.

Vaksinimi i fëmijëve është absurd, nuk do ta lejoja kurrë që ti bëhej fëmijës sim. Unë nuk e pranoj dot që të lejoj vaksinimin e fëmijës. Këtë mësimin online nuk e mendoj dot fare. Është bërë si puna e shkollës me korrespodencë, nuk e mendoj dot se fëmijët mësojnë online. Më mirë të bëjnë një mbyllje totale, sesa ta kalojnë mësimin online.

Pse i çojmë fëmijët në shkollë ne atëherë, i mësonim edhe vetë, na vjen keq por në 30 minuta. Çfarë ishte ai mësimi plotësues moj aman, do justifikonin rrogën mësuesit”.

Derimë tani nuk ka të dhëna për numrin e mësuesve që nuk janë vaksinuar ende, dhe sesi do të procedohet më tej me ta.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re