Më 30 qershor, një muaj e pak ditë pas cicërimës së Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken që shpallte non grata Sali Berishën me akuzën e korrupsionit madhor, Lulzim Basha priti në zyrë Philip Reeker, ndihmës Sekretarin Shtetit për Europën dhe Euroazinë.

Reeker e përdori Tiranën si ndalesë para pjesëmarrjes në një samit rajonal me temë paqen, sigurinë dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, që organizohej në Ohër. Partia Demokratike e kaloi në heshtje përmbajtjen e atij takimi, ndërsa nga Ambasada Amerikane jo.

“Philip Reeker nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e Ambasadës së SHBA.

Një prej “viktimave” të kësaj lufte sapo ishte bërë publikisht Sali Berisha, ndaj logjika pas këtij njoftimi të Ambasadës të çon në përfundimin se edhe në takimin me Bashën kjo çështje nuk është anashkaluar.

Pas kësaj vizite, Lulzim Basha ndryshoi gradualisht qëndrimin ndaj shpalljes non grata të Sali Berishës deri në vendimin e marrë për përjashtimin e përkohshëm nga grupi parlamentar. Duke argumentuar këtë vendim para forumeve të partisë, Lulzim Basha zbuloi ndër të tjera detaje nga biseda dhe takimi me Reeker dhe tha se në atë takim ka edhe dëshmitarë.

“Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun janë dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë. Na është bërë i qartë vendimi i DASH për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, edhe të Sali Berishës”, deklaronte Basha.

Historia duket se mund të përsëritet. Të enjten, dy ditë para se Sali Berisha të mbajë Kuvendin e thirrur prej tij në Tiranë mbërrin një tjetër zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Gabriel Escobar mbërrin në Shqipëri ditën e enjte në një vizitë të paplanifikuar më parë. Takimet e tij, ashtu si Reeker janë vetëm me Ramën e Bashën, ndërsa shmanget sërish Presidenti Ilir Meta.

Në takimin me Bashën vështirë se mund të shmanget çështja Berisha, ndaj këtë herë mbetet për t’u parë nëse do të ketë një qëndrim zyrtar, apo koha do të nxjerrë diskutimet edhe në këtë rast, ashtu siç nxorri diskutimet mes Bashës dhe Reeker të 30 qershorit.(SI)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re