Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka ironizuar pyetjet e kreu të grupit të PS, Bledi Çuçi, ndaj drejtuesit të SPAK në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ky pyeti se çfarë ndodh me magjistratët që nuk kaluan vettingun.

Në një reagim në rrjetet sociale, Alibeaj shkruan se dikush duhet t’ia kujtoj Bledi Çuçit në Këshillin e Integrimit, se votuan 1 javë më parë ligjin e amnistisë, me anë të së cilës amnistojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët.

Ndër të tjera, ai shkruan se ka qenë kërkesë ultimative e kahershme e BE-së se, gjyqtarë e prokurorë që nuk kalojnë vetingun, duhet ti nështrohen procedimit penal/pasuror prej SPAK.

Reagimi i Alibeajt:

Dëgjova kryetarin e grupit të PS, Bledi Çuçi që “i preokupuar” për integrimin e Shqipërisë në BE, pyet drejtuesin e SPAK, Altin Dumani: Çfarë ndodh me prokurorët dhe gjyqtarët që nuk e kaluan vetingun?

Dikush duhet t’ia kujtoj Bledi Çuçit dhe deputetëve të tjerë, aty në Këshillin e Integrimit, se së bashku votuan, 1 javë më parë ligjin e amnistisë, me anë të së cilës, ndër të tjera, amnistojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët! 

(Shënim: ka qenë kërkesë ultimative e kahershme e BE-së se, gjyqtarë e prokurorë që nuk kalojnë vetingun, duhet ti nështrohen procedimit penal/pasuror prej SPAK)

Kujtojmë se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, pyeti kreun e SPAK për një çështje të evidentuar dhe në Raportin e Progresit.

Ai pyeti për referimet dhe hetimet proaktive ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vettingut.

“Dëgjova zotin Dumani disa ditë më parë të fliste për shqetësimin e mungesës së referimeve nga institucionet publike. Ky nuk ka qenë një shqetësim në Raportin e Progresit. Përkundrazi ka pasur një shqetësim lidhur me garantimin e një historiku solid për hetimet proaktive ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut. Cila është gjendja e referimeve proaktive, hetimeve dhe vendimeve përfundimtare në çështjet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut?”, deklaroi Çuçi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re