Nga vendimi për t’u vendosur për një kohë të shkurtër në Alpet Italiane, te testimi i matësve më të mirë të sheqerit në gjak– kam provuar shumë në emër të shkencës. Si një person me diabet tip 1, çdo ushqim që konsumoj ndikon drejtpërdrejt në jetën time të përditshme. Nga një mollë e thjeshtë te një donut, çdo ushqim mund të shkaktojë luhatje të mëdha të sheqerit në gjak. Kjo më bëri të pyes veten: Çfarë ndodh me trupin nëse ha boronica çdo ditë?

Të njohura për indeksin e ulët glicemik dhe për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve, boronicat janë perfekte në muffins, smoothie, në tas me kos apo edhe thjesht si një ushqim i lehtë. Vendosa të shtoj rreth një filxhan me boronica në rutinën time për mbi dy javë – duke i ngrënë të freskëta, si snack – për të parë nëse do të përfitoja nga të gjitha efektet pozitive që u atribuohen atyre.

“Studimet e reja po tregojnë se boronicat mund të ndihmojnë në shëndetin e zorrëve dhe në rikuperimin pas aktivitetit fizik,” thotë Lauren Harris-Pincus, M.S., R.D.N., themeluese e NutritionStarringYOU.com dhe autore e librit The Everything Easy Pre-Diabetes Cookbook.
Ajo shton se vetëm pas dy javësh konsum të përditshëm, boronicat mund të sjellin përfitime reale për shëndetin.

Edhe pse sezonaliteti i tyre ndryshon nga një vend në tjetrin, boronicat mund të gjenden në supermarkete gjatë gjithë vitit.

Çfarë ndodhi kur hëngra boronica çdo ditë?

Si diabetike tip 1, përfitimi më i madh që vura re nga konsumimi i përditshëm i boronicave ishte stabilizimi i sheqerit në gjak. Zëvendësimi i një snack-u të pasdites me boronica, në vend të një molle apo një bananeje (që përmbajnë më shumë karbohidrate), më ndihmoi të mbaj sheqerin më të qëndrueshëm.

Përdor një pajisje për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (CGM), e cila mat nivelin e sheqerit midis shtresave të lëkurës. Ajo tregoi qartë se rreth një filxhan boronica çonin në më pak rritje të menjëhershme të sheqerit dhe më shumë ekuilibër, në krahasim me snack-et më të pasura me karbohidrate.

Meqë çdo ushqim me karbohidrate kërkon insulinë, përdor pompe insuline për ta menaxhuar.

Edhe pse zakonisht shmang ushqimet shumë të përpunuara, kur i zëvendësova ato me boronica, u ndjeva më e ngopur, më e lehtë dhe më e ushqyer.

Përfitime të mundshme të boronicave

Të pasura me antioksidantë

“Antioksidantët ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe polifenolët në boronica mund të ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet që shkakton procesi i plakjes,” thotë Pincus.
Ato gjithashtu përforcojnë sistemin imunitar.

Përmirësojnë shëndetin e zemrës

“Boronicat e egra (ato të voglat) përmbajnë 33% më shumë anthocyaninë dhe dy herë më shumë antioksidantë sesa boronicat e zakonshme, gjë që mund të ndihmojë në mbrojtjen e sistemit kardiovaskular dhe në uljen e tensionit të gjakut.”

Ndihmojnë në funksionin e trurit

Studime tregojnë se boronicat e egra mund të ndihmojnë në zhvillimin mendor te fëmijët dhe adoleshentët, dhe mund të ngadalësojnë procesin e plakjes së trurit me kalimin e moshës. Megjithatë, kërkohen studime shtesë.

Stabilizojnë sheqerin në gjak

Ky është përfitimi që e përjetova vetë. Pas konsumimit të një filxhani me boronica, pata shumë më pak luhatje të nivelit të sheqerit në krahasim me fruta më të pasura me karbohidrate.

Pincus thekson se boronicat mund të përmirësojnë ndjeshmërinë ndaj insulinës, gjë që mbështetet edhe nga studime shkencore.

Vlerat ushqyese të boronicave

Sipas USDA, 100 gramë boronica (afërsisht 1/2 filxhan) përmbajnë:

  • Kalori: 57
  • Proteina: 0.7 g
  • Karbohidrate: 14.5 g
  • Sheqerna natyrale: 10 g
  • Fibra: 2.4 g
  • Yndyrna: 0.3 g

A mund të konsumoni shumë boronica?

Ashtu si me çdo ushqim, edhe me boronicat duhet maturi.

“Ato përmbajnë fibra, që për shumë njerëz janë të domosdoshme. Por nëse nuk jeni mësuar me një dietë të pasur me fibra, mund të përjetoni gazra, fryrje ose parehati,“ shpjegon Pincus.

Ajo gjithashtu shton se boronicat përmbajnë oksalate – përbërës bimorë që lidhen me minerale – të padëmshëm për shumicën, por që mund të jenë problem për ata me histori të gurëve në veshka. Gjithashtu, përmbajnë sheqerna natyrale, ndaj sasia ka rëndësi, sidomos për personat me diabet./ Shendeti.com.al / Burimi: Prevention.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko