Edhe nëse keni pirë duhan për shumë vite, ju mund të ndryshoni efektet e dëmshme të pirjes së duhanit dhe të përjetoni përfitime shëndetësore që nga orët e para të ndërprerjes së duhanit deri në dekadat pasi e keni lënë.

Pirja e duhanit lëshon mijëra kimikate në trupin tuaj. Rezultati nuk është vetëm dëmtimi i mushkërive, por edhe i zemrës dhe i shumë organeve të tjera të trupit.

Çfarë ndodh me trupin tuaj kur papritmas ndaloni duhanin?

Efektet pozitive shëndetësore të lënies së duhanit fillojnë 20 minuta pas cigares suaj të fundit. Presioni i gjakut dhe pulsi juaj do të fillojnë të kthehen në nivele më normale.

Përveç kësaj, fibrat në tubat bronkiale që më parë nuk lëviznin mirë për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj tymit do të fillojnë të lëvizin përsëri. Kjo është e dobishme për mushkëritë.

Pas 8 orësh

Brenda tetë orësh, nivelet e monoksidit të karbonit do të kthehen në një nivel më normal. Monoksidi i karbonit është një kimikat i pranishëm në tymin e cigares që zëvendëson grimcat e oksigjenit në gjak, duke ulur sasinë e oksigjenit që marrin indet tuaja.

Kur monoksidi i karbonit largohet, nivelet tuaja të oksigjenit fillojnë të rriten në nivele më normale. Ky oksigjen ndihmon në ushqimin e indeve dhe enëve të gjakut që merrnin më pak oksigjen gjatë kohës që pini duhan.

Pas 24 orësh

Pas 24 orëve, niveli i nikotinës në gjakun tuaj bie në një sasi të papërfillshme.

Deri atëherë, ngushtimi i reduktuar i venave dhe arterieve dhe një rritje e nivelit të oksigjenit që shkojnë në zemër ndihmojnë në rritjen e funksionimit të zemrës suaj. Kjo zvogëlon mundësinë për të pësuar një atak në zemër.

Pas 48 orësh

Në 48 orë, mbaresat nervore të dëmtuara më parë fillojnë të rriten përsëri. Ju gjithashtu mund të filloni të vini re se funksionimi i shqisave përmirësohet. Ju mund të kuptoni se po nuhatni dhe shijoni gjërat më mirë se më parë.

Pas 72 orësh

Brenda tre ditësh pas lënies së duhanit, shpesh do ta gjeni veten duke marrë frymë më lehtë. Kjo ndodh sepse tubat bronkiale brenda mushkërive kanë filluar të relaksohen dhe të hapen më shumë. Kjo e bën më të lehtë shkëmbimin e ajrit midis dioksidit të karbonit dhe oksigjenit.

Përveç kësaj, kapaciteti juaj i mushkërive, ose aftësia e mushkërive për t’u mbushur me ajër rritet.

Pas 7 ditësh

Pas një jave pa pirë duhan, monoksidi i karbonit në gjakun tuaj bie në nivele normale.

Mos harroni, shanset për të lënë duhanin përgjithmonë rriten me çdo përpjekje. Nëse mund ta arrini një javë, mund ta arrini për një jetë.

 

Pas 3 muajsh

Brenda tre muajve pas lënies së duhanit, një grua mund të përmirësojë fertilitetin e saj si dhe të zvogëlojë rrezikun që fëmija i saj të lindë para kohe.

Pas një viti 

Pas një viti mushkëritë tuaja do të kenë përmirësime shëndetësore për sa i përket kapacitetit dhe funksionimit. Do të vini re se mund të merrni frymë lehtësisht dhe sa më pak kollitje në krahasim me kohën kur pini duhan.

Përveç këtyre përfitimeve shëndetësore, do të keni kursyer një shumë parash.

Pas 10 vitesh

Pas  një decade, mundësia për t’u prekur nga kanceri i mushkërive përgjysmohet.

Përveç uljes së mundësisë së kancerit të mushkërive, rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të lidhura me duhanin gjithashtu zvogëlohet. Kjo përfshin një shans të reduktuar për kancerin në:

  • Ezofag
  • Fshikëz
  • Veshka
  • Pankreas

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni

Burimi/ Healthline.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re