Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi ka deklaruar se dera e partisë mbetet e hapur për çdo ish-zyrtar, edhe për kritikët e Bashës ndonëse një pjesë prej tyre u përjashtuan nga lista e kryetarit disa vite më parë. Bardhi shprehet se të përjashtuarit e vetëm mbeten ata individë që kanë kryer shkelje të rënda statutore.

“Në Partinë Demokratike nuk ka asnjë të larguar. Sigurisht që është një proces që me vite ndodh që një drejtues i lartë i partisë, funksionar i lartë, deputet apo kryetar bashkie në një moment të caktuar të humbë të drejtën apo mundësinë që të jetë përfaqësues i demokratëve në këto pozicione. Por humbja e mundësisë për të përfaqësuar demokratët në një pozicion të caktuar nuk do të duhet të shoqërohet apo të nënkuptojë largimin e këtij personaliteti apo të kësaj figure nga partia.

Asnjë person që ka qenë anëtar i PD-së dhe është larguar me masë disiplinore për thyerje të rëndë të statutit të partisë nuk mund të bëhet pjesë e këtij procesi”, tha Bardhi në një intervistë për RTV Ora.

I pyetur se si do koordinojë procesin për qarkun e Shkodrës ku anëtarësia mund të propozojë një ndër kritiket më të forta të Bashës, Jozefina Topallin, Bardhi tha: “Çdo propozim i bërë nga anëtarët do të merret, do të shqyrtohet pa asnjë paragjykim.”

Ndërkohë në selinë blu do të ngrihet një Komision i filtrimit të kandidatëve. Para disa ditësh u përfol se Basha do të kthejë në PD Genc Rulin, i cili do të drejtojë Komisionin e Përzgjedhjes të Kandidatëve për deputete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, i cili do të nisë punën në muajin Shtator.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re