Na ndodh të gjithëve, në situata të caktuara, që duhet të mbajmë gazrat e zorrëve. Mjafton të thuhet se çdo person lëshon 0,5 deri në 1,5 litra çdo ditë. Shumica e p’ordhëve janë pa erë, por sigurisht, nëse jemi në shoqërinë e njerëzve të tjerë, përpiqemi të shmangim edhe rrezikun më të vogël.
Çfarë e shkakton fryrjen? Gazi është një produkt natyral i tretjes dhe mbajtja brënda mund të shkaktojë siklet, fryrje dhe ndonjëherë të përzier. Ellen Stein, gastroenterologe në RWJ Barnabas Health (New Jersey) dhe zëdhënëse e Shoqatës Amerikane të Gastroenterologjisë, e intervistuar nga faqja e internetit Livescience.com, shpjegon se trupi mund të përdorë disa truke për të menaxhuar akumulimin e gazit. Megjithatë, në fund, në një mënyrë ose në një tjetër ato duhet të dalin.
Sapo hamë një kafshatë nga ushqimi, trupi fillon menjëherë ta lëvizë- dhëmbët e shtypin mekanikisht dhe pështyma kimikisht e “zbut ”. Ndërsa ushqimi udhëton nëpër traktin tretës, ai shtyhet më poshtë në stomak, zorrë të hollë dhe zorrë të trashë. Mikroorganizmat në zorrë ndihmojnë në zbërthimin e ushqimit në blloqet e tij bazë ndërtuese, të cilat më pas mund të absorbohen në qarkullimin e gjakut dhe të shpërndahen në të gjithë trupin si energji.
Por jo gjithçka që përmban ushqimi mund të përdoret nga trupi. Për shembull, njerëzit me intolerancë ndaj laktozës nuk prodhojnë mjaftueshëm enzimën laktazë në zorrën e hollë, kështu që laktoza, një sheqer që gjendet në produktet e qumështit, mbetet të fermentohet në sistemin tretës, duke shkaktuar fryrje, diarre dhe gazra të tepërta. Por gazrat grumbullohen edhe në rastin e tretjes “normale”.
Sipas Shoqatës Amerikane për Mikrobiologji, sulfuri i hidrogjenit (i cili mund të bëjë që emetimet e gazit të kenë erë si vezë të kalbura) prodhohet nga bakteret “miqësore” në zorrë që shpërbëjnë proteinat. Më tej në traktin tretës, karbohidratet shpërbëhen në zorrën e trashë dhe nënproduktet e tyre, hidrogjeni dhe metani, i shtohen gazit që grumbullohet në trup.
P’ordhët janë pra mjeti nëpërmjet të cilit trupi menaxhon gazrat e panevojshëm- Sfinkteri i jashtëm anal është e vetmja pjesë e procesit të tretjes, mbi të cilën kemi kontroll të vetëdijshëm. Pra, nëse vendosim që nuk është koha e duhur për të nxjerrë gazrat , ngushtojmë muskulin unazor dhe pordha mbetet e “ngujuar”, duke u tërhequr në zorrën e trashë. Atëherë çfarë ndodh? Gazi i “dërguar prapa” gjatë ditës lirohet gjatë shkuarjes në banjë ose kur trupi relaksohet gjatë gjumit. Por mbajtja e tij mund të jetë e dëmshme në planin afatgjatë.
Në fakt, për shkak të stresit të ënjtjes së vazhdueshme, mund të formohen xhepa të vegjël të quajtur divertikula në zorrën e trashë. Dhe situata mund të përkeqësohet edhe më shumë nëse zhvillohet një infeksion.
Prandaj këshilla është që të mos mbahen gazrat e zorrëve, sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe nëse prodhimi i gazit “ajër” është i tepërt, mund të jetë rruga e duhur të konsultoheni me një mjek për të hetuar shkaqet e çrregullimit.
