Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në kuadër të forcimit të masave për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID19, ka deklaruar nga Urgjenca Kombëtare se do të dyfishohen ekipet e terrenit për shërbimin në banesë për qytetarët e prekur nga COVID19.

Duke kërkuar nga qytetarët t’i referohen strukturave shëndetësore, sipas sistemit të referimit, Manastirliu tha se Njësia e Koordinimit dhe ekipet e urgjencës kombëtare po përballojnë një fluks të konsiderueshëm te qytetarëve të prekur nga SARS COV2.

“Janë mbi 500 thirrje në ditë janë vetëm për Covid19 në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127. Nga ana tjetër Urgjenca Kombëtare vijon që të japë shërbime edhe për gjithë patologjitë e tjera. Edhe kjo falë një pune dhe një organizimi shumë të mirë, të bërë nga ana juaj, me gjithë spitalet”, tha Manastirliu.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skëndër Brataj tha se çfarë kishte ndodhur në 24 orët e fundit, duke zbuluar se 16 prej rasteve që kanë telefonuar, janë transferuar në spital.

“Gjatë 24 orëve bëhen 40-45-50 vizita për Covid. Në 24 orët e fundit në dy spitalet ishin 16 raste të transferuara nga Urgjenca Kombëtare, 9 te Sanatoriumi dhe 7 te QSUT”, u shpreh Brataj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re