Çfarë pa dëshmitari okular? Autoritetet bullgare: Nesër jepen detaje zyrtare për aksidentin

Screenshot_90-2.png

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Zëdhënësja e Prokurorisë së Bullgarisë Sijka Mileva, njoftoi se prokuroria bullgare do të japë nesër një konferencë për median, ku do të paraqesë detaje në lidhje me hetimin për tragjedinë me të paktën 45 viktima.

“Nesër, në ora 11 do të ketë paraqitje para mediave për hetimin për tragjedinë”, tha Mileva.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut: Gjendja e të mbijetuarve është e mirë

Bujar Osmani, kreu i diplomacisë në Maqedoninë e Veriut, vizitoi të mbijetuarit e aksidentit tragjik, ndërsa për median maqedonase u shpreh se të lënduarit janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Janë në gjendje të mirë shëndetësore stabile, në aspekt që nuk kanë rrezik për jetë. Paralajmërimet, vlerësimet e mjekëve janë që ndoshta dy të parët, diku kah e premtja mund të lëshohen në shërim shtëpiak. Por, këtu shtrohet edhe çështja se a ka kush i trajton në shërim shtëpiak. Unë, ju ofrova të shtrihen edhe në Spitalet e Shkupit, si fazë tranzitore, por kjo do të jetë vlerësim profesional i tyre, ashtu që mund të konstatoj se gjendja shëndetësore është e mirë”, tha Osmani.

“Dëgjova shpërthim, kishte shumë flakë” Çfarë pa dëshmitari okular

Iija Nikollov, shtetas bullgar, ishte një prej të parëve që shkoi në aksidentin tragjik të ditës së djeshme. Ai foli për televizionin bullgar, nga ku tha se fillimisht dëgjoi një shpërthim.

“Dëgjova një shpërthim por nuk munda ta kuptoj çfarë ishte. U lëshuam me kolegun drejt vendit dhe e pamë se diçka po digjet. Së pari digjej më pak por më pas zjarri u përforcua. U afruam të ndihmojmë por nuk kishte se si. Shumë kishte flakë, nuk mundeshim të afrohemi”, tha Ilija për BNT.

Sipas tij, kishte disa njerëz që kishin dalë nga ana e majtë e autobusit.

“Më flisnin në gjuhë të panjohur, nuk kuptoja prej nga vijnë. Thirrëm në 112 dhe mora reflektues për të sinjalizuar veturat që vinin. Shumë shoferë ndaluan veturat dhe vrapuan për të ndihmuar. Policia erdhi 17-18 minuta më vonë dhe pastaj ne ikëm drejt bazës. Vinte era gomë e djegur, nuk kam ndjerë aromë të naftës. Nuk e di nëse gardhi mbrojtës e ka penguar derën të hapet, ishte shumë errësirë dhe nuk mund të vërehej çfarë po ndodhte.”, tha dëshmitari.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë