Kontributet sociale që merr dikush në Gjermani varen nga statusi i refugjatit.

Refugjatët nga Ukraina për shembull marrin pa procedurë azili leje qëndrimi si mbrojtje të përkohshme, kjo përmban edhe një të drejtë të pakufizuar për punë. Rreth 1,1 milionë refugjatëve ukrainas në Gjermani në rast nevoje u vihet në dispozicion tërësia e ndihmave sociale që jepen. Këtu bën pjesë kontributi qytetar, që në janar 2023 zëvendësoi ndihmën e papunësisë II. Aktualisht, (shtator 2023) për një person të rritur në Gjermani ai kap shifrën e 502 eurove në muaj. Rrefugjatët pa strehim kanë të drejtë të strehohen përmes zyrës sociale – si çdo person pa apartament në Gjermani. Ky strehim mund të jetë një strehim emergjence, bujtina apo qendra strehimi për refugjatët. Krahas kësaj ata që kanë këtë status të përkohshëm mbrojtjeje kanë qasje tek kujdesi shëndetësor përmes sigurimit shëndetësor. Leja e qëndrimit vlen në fillim për dy vjet.

Për ata që hyjnë në Gjermani dhe bëjnë kërkesë për azil vlejnë rregulla të tjera.

Strehimi

Azilkërkuesit strehohen si rregull në një qendër të parë pranimi refugjatësh. Për këtë janë përgjegjëse landet gjermane. Qendrat e para të pranimit janë strehime të mëdha si për shembull ish-kazerma. Njerëzit jetojnë në dhoma me disa shtretër pa mundësi gatimi, por marrin ushqimin në të gjitha vaktet. Qëndrimi aty mund të zgjasë nga disa javë deri në disa muaj. Pas kësaj ata shpërndahen në qarqe e komuna.

Shumica e komunave kanë strehime fikse, të cilat shumica janë strehime në komunitet, që mund të mbajnë 30 persona për shembull ose disa qindra. Spektri është i gjerë – nga ndërtime të reja të mirëorganizuara me kopsht dhe mundësi loje për fëmijët, mundësi gatimi në një apartament të mbyllur – deri tek godina të vjetra në zona periferike, ku refugjatët duhet të ndajnë një dhomë me katër ose pesë vetë. Gjatë procesit të azilit është e kufizuar liria e lëvizjes për azilkërkuesit. Ata janë të detyruar gjatë procedurës e pjesërisht më tej që qëndrojnë në një vend.

Mbështetja financiare

Ligji për kontributin e azilkërkuesve rregullon se çfarë kanë të drejtë të marrin si mbështetje azilkërkuesit. Nëse azilkërkuesit jetojnë në një qendër të pranimit ape strehimit në komunitet ata marrin vetëm të ashtuquajturën “furnizim i nevojshëm”. Kjo përfshin ushqimin, strehimin, ngrohjen, veshjet, produktet higjienike e shëndetësore si edhe mjete shtëpiake. Për nevojën e drejtpërdrejtë personale azilkërkuesit kanë të drejtë të marrin edhe para xhepi. 150 Euro në muaj për një azilkërkues të vetëm. Nëse “furnizimi për nevoja” nuk ofrohet në formë materiale, atëherë ata kanë të drejtë të marrin para në dorë që përfshin 367 euro në muaj. Po ashtu shpërblehet edhe angazhimi vullnetar. Nëse azilkërkuesit punojnë në punë të ndryshme vullnetare kanë të drejtë të marrin deri në 200 euro në muaj.

Shëndeti

Rastet e urgjencës shëndetësore si për shembull lëndimet trajtohen në spital. Spitalet pastaj e kërkojnë kompensimin tek zyra sociale. Përndryshe kujdesi shëndetësor varion nga landi në land. Nëse disa lande azilkërkuesit marrin një kartë shëndetësore elektronike, me të cilën mund të shkojnë tek mjeku, në të tjera duhet që para se të trajtohen duhet të bëjnë në zyrën përkatëse një kërkesë për trajtim. Por në rast nevojekujdesi shëndetësor merret i tërësishëm. Pas njohjes së statusit të mbrojtur ose pas 18 muajsh qëndrim ata që kanë të drejtë për shërbime marrin qasjen e plotë tek shërbimet shëndetësore, ashtu si të gjithë të siguruarit e tjerë të sigurimit ligjor.

Leja- Duldung

Refugjatëve, të cilëve i është refuzuar kërkesa e azilit, por që kanë të drejtën e qëndrimit të toleruar, pra Duldung-ut iu jepet edhe e drejta të marrin të gjitha shërbimet sipas ligjit përkatës. Që do të thotë: ata duhet të largohen, por qëndrojnë përkohësisht për arsye të ndryshme që pengojnë udhëtimin, ose se nuk mund të dëbohen. Për shembull kur nuk kanë dokumente identifikimi, apo kanë një sëmundje që nuk trajtohet dot në vendin e tyre.

Për të përcaktuar shpejt identitetin e personave të caktuar dhe dokumentet e udhëtimit duhet bashkëpunimi me autoritetet e vendit origjinë. Qeveria gjermane ka mbyllur disa marrëveshje me vende të caktuara dhe përpiqet të mbyllë marrëveshje me vende të tjera. Interesi në shumë vende për të pranuar sërish nënshtetasit është i vogël. Një nga arsyet janë transfertat e parave, edhe të migrantëve të parregullt tek familjet e tyre, një faktor ekonomik me rëndësi në këto vende. Në disa vende këto pagesa madje përbëjnë më shumë se ndihma për zhvillim dhe shkojnë drejt e tek njerëzit në nevojë./ DW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re