Prej ditës së shtunë e deri më sot, në komunën e Deçanit kanë qenë qindra njerëzit që janë paraqitur në qendrën spitalore me shenja të qarta të helmimit.

Deri më tani janë afro 900 persona që kanë patur probleme me shëndetin, ndërsa në 24 orët e fundit sipas prokurorisë së Pejës, 2 qytetarë deçanas kanë ndërruar jetë në rrethana të dyshimta.

Ngjarja është përshkallëzuar aqsa autoritetet kanë vendosur të shpallin gjendje emergjente në të gjithë territorin e Deçanit. Kjo pasi ende nuk është zbuluar shkaku i helmimit masiv të qytetarëve.

Autoritetet dyshojnë se shkak i helmimit është uji, por ende nuk kanë dalë analizat e plota për të zbuluar me siguri se për çfarë bëhet fjalë.

Dy rastet e humbjes së jetëve janë konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Niçki. Trupat do të dërgohen për espertizë mjeko-ligjore për të kuptuar më shumë lidhur me rrethanat e vdekjes së tyre.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë Nikçi për median në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), bëri të ditur të hënën se nga 6 mostrat e marra nga uji, në dy prej tyre janë gjetur koloni të dyshimta të baktereve. Megjithatë, sipas drejtorit Naser Ramadani (IKSHPK), testimet duhet të vazhdohen, pasi shkaku i saktë i helmimit masiv nuk është përcaktuar ende.

Më poshtë në artikull, gjeni disa prej prononcimeve të bëra ditën e djeshme nga qytetarë që kanë përjetuar simptoma të helmimit.

“Uji vinte i turbullt” Mbi 400 qytetarë helmohen në Deçan të Kosovës

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re