Policia ka ushtruar kontroll në 30 qendra estetike që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë, bëri të ditur gazetari i News 24, Igli Çelmeta, në një raportim për Balkanweb.
Duke zbardhur detaje nga ky operacion, Çelmeta bëri të ditur se kontrollet po zhvillohen në kuadër të informacioneve lidhur me sasi botoxi kontrabandë, që dyshohet se përdoret në këto qendra.
Operacioni drejtohet nga Drejtoria e Krimit Ekonomik në DPPSH.
Detaje nga operacioni në 30 qendra estetike, 3 të arrestuar dhe disa të shpallur në kërkim
Sipas informacioneve paraprake, rreth 30 qendra estetike janë bastisur nga policia në kryeqytet, ndërsa tre persona janë arrestuar, tre të tjerë janë shpallur në kërkim dhe gjashtë po hetohen në gjendje të lirë.
Raportohet se aksioni i policisë drejtohet nga Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe synon zbulimin dhe sekuestrimin e mallrave kontrabandë, veçanërisht botoksit që mund të injektohet në fshehtësi dhe pa licencën përkatëse.
Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e disa prej personave të ndaluar, ku dyshohet se fshihnin mallin kontrabande.
