Turqia ka intensifikuar projektet për ndërtimin e strehimoreve në qytetet kryesore të vendit, në një kohë kur tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet e acaruara me Izraelin kanë shtuar shqetësimet për sigurinë. Projektet parashikojnë krijimin e hapësirave mbrojtëse për qytetarët në rast lufte, tërmetesh të mëdha apo fatkeqësish të tjera. Sipas raportimeve të mediave turke, ndërtimi i strehimoreve ka nisur në disa zona, ndërsa autoritetet synojnë që infrastruktura mbrojtëse të shtrihet në të 81 provincat e vendit. Televizionet turke po i lidhin këto zhvillime me situatën e tensionuar në rajon, veçanërisht me përplasjet mes Izraelit dhe aktorëve të tjerë në Lindjen e Mesme.
“Kjo është e nevojshme për fatkeqësi natyrore, luftëra dhe tërmete të mëdha”, deklaroi Emrullah Turanli, zëdhënës i një kompanie ndërtimi që po angazhohet në projekte të tilla. Një kompleks ndërtimi në Stamboll, punimet për të cilin nisën rreth një vit më parë, përfshin një nga strehimoret më të mëdha të planifikuara në vend. Duke folur për projektin, Turanli u shpreh se ai po ndërtohet edhe për t’u përballur me kërcënime të mundshme nga jashtë. Strehimore për dhjetëra mijëra persona.
